TIRANË ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Mesazhi i Ramës për të tijtë ishte i qartë në mbledhjen e sotme, teksa fliste për zgjedhjet e ardhshme dhe sesi PS duhet t’i fitojë.
Ai tha se tashmë “makineria elektorale e PS” nuk fiton më siç ka fituar duke mobilizuar mirënjohjen nga populli, por tani duhet që të transformohet duke iu përshtatur, siç Rama e quan, epokës së pritshmërive.
“Drejtuesit politikë që jemi këtu, drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojë nga sot e tutje me sensin e përparësisë së përditshme.
Në epokën e mungesave makineria jonë elektorale ka fituar se ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka është bërë, në epokën e pritshmërive kjo makineri duhet të bëjë transformim jetik sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërive sapo ka filluar”, u shpreh Rama.
“Sot është krejt tjetër skena se po formësohet, për të gjithë ata faktorë që fola, dhe detyra jonë është që jo ta mbrojmë makineritë nga çfarë ka rreth e jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja.
Pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që keni para, tërësisht i hapur për shënimet e cilido prej jush. Empatia si angazhim për të ndërvepruar, nuk është dobësi, por forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Një njeri që të hap derën e hallit të vet të ka dhënë një gjë më të çmuar se vota, të ka dhënë besimin. Të ka lënë në dorë edhe dinjitetin.
Halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik, solidariteti, partia dëgjon pa e pyetur me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahu politik të pëlqen, pa e pyetur për votën, për politikë. Se dera që hapet vetëm për tanët, është derë që mbyllet për të gjithë ne, kur them ne, për PS. Mos-përgjigja duhet të shpallet e ndaluar në PS”, tha më tej kreu i qeverisë.

