Shqipëria po konsolidon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj në hartën globale të turizmit, duke u renditur ndër vendet kryesore në botë për numrin e vizitorëve të huaj në raport me popullsinë.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale publikoi të dhënat e Agjencisë së Turizmit të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave Shqipëria renditet e 6-ta në nivel global për këtë tregues, me rreth 4.83–5 turistë ndërkombëtarë për çdo banor.
“Riviera Joniane, Alpet dhe turizmi i natyrës, së bashku me përmirësimin e infrastrukturës, lidhjeve ajrore dhe investimeve në akomodim e shërbime, po e forcojnë gjithnjë e më shumë pozicionin e Shqipërisë në hartën e turizmit botëror”, thekson Koçiu.
Koçiu tha se Shqipëria është tashmë në elitën globale të turizmit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet pas Andorës, Indonezisë, Maltës, Islandës dhe ishujve Palau, ndërsa lë pas Bahamasin.
Rritja e numrit të vizitorëve të huaj është mbështetur nga zhvillimi i destinacioneve turistike, promovimi i bregdetit, zonave malore dhe turizmit të natyrës, si edhe nga përmirësimi i infrastrukturës, shtimi i lidhjeve ajrore dhe investimet në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve.
Riviera Joniane, Alpet shqiptare dhe destinacionet e turizmit rural e të aventurës po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues në rajon dhe më gjerë.
Performanca në rritje e sektorit të turizmit vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, duke ndikuar në rritjen e të ardhurave, punësimit dhe promovimit të potencialeve natyrore e kulturore të vendit.

