NGA FATMIR POPJA
PUKË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Puka nis një kapitull të ri në zhvillimin turistik. Me një ceremoni madhështore në Qafë-Qerret është hedhur guri i parë i “Xhauri Resort & SPA”, një prej investimeve më të rëndësishme turistike që ka njohur kjo trevë, me synimin për ta kthyer Pukën në një destinacion të vizitueshëm gjatë gjithë vitit.
Në fokus të kësaj dite historike ishte mesazhi i kryetarit të Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, i cili e cilësoi nisjen e këtij projekti jo thjesht si fillimin e një vepre ndërtimore, por si një hap të rëndësishëm drejt transformimit ekonomik dhe turistik të zonës.

Para qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, sipërmarrësve dhe të ftuarve të shumtë, Dodaj u shpreh se ky investim përfaqëson besimin te potenciali i jashtëzakonshëm që mbart Puka.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar fillimin e punimeve të një resorti të ri, por për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së turizmit dhe zhvillimit të krahinës sonë. XHAURI RESORT & SPA është më shumë se një investim. Ai është një shpresë dhe një besim te Puka, te bukuritë e saj natyrore, te njerëzit e saj dhe te potenciali i jashtëzakonshëm që kjo trevë ka për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik”, deklaroi kryebashkiaku Dodaj.

Ai theksoi se turizmi është një nga shtyllat kryesore të strategjisë së zhvillimit të Bashkisë Pukë dhe se institucionet vendore do të vijojnë të mbështesin çdo investim serioz që sjell punësim, zhvillim dhe mirëqenie për komunitetin.
Sipas tij, vizioni i Bashkisë Pukë është i qartë: ta shndërrojë këtë zonë në një destinacion që mirëpret vizitorë në çdo periudhë të vitit, duke shfrytëzuar pasuritë natyrore, traditat dhe mikpritjen e banorëve.

“Vizioni ynë është ta bëjmë Pukën një destinacion që vizitohet gjatë të katër stinëve të vitit. Bashkia Pukë do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme për çdo investitor që zgjedh të ndërtojë të ardhmen e tij në këtë trevë, ” u shpreh Rrok Dodaj.
Kreu i Bashkisë vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe sipërmarrjes private, duke theksuar se projekte të tilla krijojnë mundësi të reja për të rinjtë, rrisin punësimin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë lokale.

Ceremonia në Qafë-Qerret u zhvillua në një atmosferë festive, ku morën pjesë qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve, drejtues vendorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të dy komuniteteve fetare. Bekimet e famullitarit të Pukës, Dom Zef Marku, dhe Myftiut të Pukës, Gezim Kopani, sollën mesazhe harmonie, mbarësie dhe suksesi për këtë projekt.
Edhe shiu që shoqëroi për disa minuta ceremoninë u prit si një ogur i mirë nga të pranishmit, në traditën shqiptare si simbol i bereqetit dhe mbarësisë.

Sipërmarrësi Agron Xhauri deklaroi se projekti do të ndërtohet sipas standardeve bashkëkohore dhe në harmoni me natyrën, duke u mbështetur te bukuritë dhe potenciali i jashtëzakonshëm turistik i Pukës.
Me nisjen e punimeve të “Xhauri Resort & SPA”, Puka synon të forcojë pozicionin e saj në hartën turistike të Shqipërisë, duke krijuar një model të ri zhvillimi ku natyra, investimi dhe komuniteti bashkohen në një vizion të përbashkët.

Për Bashkinë Pukë, kjo ditë shënon më shumë se fillimin e një ndërtimi. Ajo simbolizon një bindje të re se kjo trevë ka potencialin për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme, me turizmin si një nga motorët kryesorë të zhvillimit.


