Problemet me Amnistinë 2026/ Zbardhja me vonesë e vendimeve po përdoret si argument i ri për të përfituar nga falja e dënimit

TIRANË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Amnistia Penale 2026 vijon të shoqërohet me debate dhe procese gjyqësore, ndërsa një numër i dënuarish po kërkojnë të përfitojnë nga ligji duke u mbështetur në një argument të ri juridik: vonesën në zbardhjen e vendimeve të gjykatave.

Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, të dënuarit argumentojnë se, edhe pse vendimet janë shpallur nga gjykatat e shkallës së parë, ato nuk janë zbardhur brenda afateve ligjore. Për këtë arsye, vendimet nuk kanë marrë formë të prerë përpara datës 31 maj, afati i përcaktuar nga ligji i Amnistisë 2026, duke u mohuar atyre mundësinë për të përfituar automatikisht nga falja ose shuarja e dënimit.

Paditësit theksojnë se kjo situatë nuk ka ardhur për shkak të neglizhencës së tyre, por si pasojë e vonesave procedurale të vetë sistemit gjyqësor. Ata kërkojnë që gjykatat të njohin këtë pengesë dhe t’i shpallin përfitues të amnistisë në rrugë gjyqësore.

Një pjesë e mirë e kërkesave lidhen me pushimin e çështjeve për veprat penale që përfshihen në ligjin e amnistisë, ndërsa argumenti i moszbardhjes së vendimeve po përdoret gjithnjë e më shpesh në sallat e gjyqit.

Problematika nuk është e re. Gjatë zbatimit të Amnistisë 2024, dhjetëra të dënuar u ankuan se vonesat në zbardhjen e vendimeve i kishin privuar nga e drejta për të përfituar nga ligji. Një investigim i Top Channel evidentoi se shumë vendime nuk ishin arsyetuar brenda afateve, ndërsa të njëjtin konstatim e bëri edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Nga monitorimi i rasteve të amnistive ndër vite rezulton se proceset gjyqësore të iniciuara nga të dënuarit për shuarje ose ulje dënimi vazhdojnë të zgjasin për periudha të konsiderueshme.

Një nga rastet më domethënëse është ai i Lirie Delishit nga Durrësi, e cila arriti të përfitojë nga Amnistia 2024 vetëm pas një beteje të gjatë gjyqësore. Sipas dokumentacionit gjyqësor, më 25 maj 2026 Gjykata vendosi shuarjen e dënimit të saj, rreth dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit të amnistisë.

Delishi ishte hetuar në vitin 2020 për falsifikim dokumentesh, pasi rezultoi se kishte dalë nga Shqipëria duke përdorur një pasaportë të falsifikuar. Pas dënimit me katër muaj burg, autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin e saj nga Britania e Madhe, por procedura u pezullua pasi ajo e kundërshtoi vendimin në shtetin britanik.

Më pas, në Shqipëri, ajo kërkoi shuarjen e dënimit duke pretenduar se ishte përfituese e Amnistisë 2024. Gjykata i dha të drejtë, duke vendosur se dënimi duhej shuar në zbatim të ligjit të amnistisë.

Në arsyetimin e vendimit, gjykata vlerësoi se Delishi nuk ishte shmangur drejtësisë, pasi rezultonte se kishte lindur fëmijë në Britaninë e Madhe dhe, për këtë arsye, e kishte pasur objektivisht të pamundur të paraqitej para autoriteteve shqiptare.

Ndërkohë, pak ditë më parë u bë publik edhe rasti i një 34-vjeçareje, nënë e tre fëmijëve të lindur jashtë vendit, e cila u arrestua dhe u dërgua në burg së bashku me foshnjën e saj, pasi dyshohej se i ishte shmangur drejtësisë. Gruaja ishte dënuar me dy muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë më 13 maj.

Më pas, Gjykata e Apelit i pranoi kërkesën për rivendosje në afat, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të saj. Çështja pritet të shqyrtohet në vijim në Apel, ku do të vendoset edhe nëse ajo mund të përfitojë nga dispozitat e amnistisë.

Sipas të dhënave zyrtare, nga Amnistia Penale 2026 kanë përfituar 541 të dënuar, të cilët janë liruar nga vuajtja e dënimit, ndërsa qindra të tjerëve u është ulur masa e burgimit deri në një vit.

Megjithatë, për shumë të dënuar, rruga drejt përfitimit nga amnistia nuk ka përfunduar. Me dhjetëra kërkesa për shuarje ose ulje dënimi vijojnë të shqyrtohen në gjykata, ku vonesat në zbardhjen e vendimeve po shndërrohen në një nga argumentet kryesore juridike për të kërkuar zbatimin e ligjit të Amnistisë 2026.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Revolucioni Flamingo në ditën e 57 / Nis marshimi drejt Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

TIRANË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Protestuesit kanë nisur marshimin...

I dyshuar për sulmin terrorist në Berlin, policia vret 21-vjeçarin gjatë tentativës për ta arrestuar

BERLIN ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Në një deklaratë, departamenti...

Velipoja mbushet me pushues, plazhi në kulmin e sezonit veror

VELIPOJË, 26 korrik 2026/Albania Express News/-  Plazhi i Velipojës,...

Zjarret masive përfshijnë Francën dhe Spanjën, mbi 320 mijë persona evakuohen nga shtëpitë

FRANCË /SPANJË , 26 korrik 2026/Albania Express News/-Franca dhe...