Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026

TIRANË, 26 korrik 2026 /Albania Express News/ -Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar në faqen zyrtar etë saj, listat e aplikimeve të kualifikuara për masat mbështetëse 5-9, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas përfundimit të fazës së aplikimit dhe kontrollit fillestar administrativ.

Sipas njoftimit të AZHBR-së, janë kualifikuar 20 636 aplikime në pesë masa mbështetëse që synojnë zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, rritjen e standardeve të prodhimit dhe mbështetjen e sektorit të peshkimit.

Për Masën 5, “Mbështetje për luftimin biologjik në sera dhe tunele plastike”, janë kualifikuar 362 aplikime.

Për Masën 6, “Mbështetje për fermat organike dhe në kalim”, janë kualifikuar 201 aplikime.

Për Masën 7, “Mbështetje për certifikimin GlobalG.A.P.”, janë kualifikuar 16 aplikime.

Numrin më të madh të aplikimeve e ka Masa 8, “Pagesë për sipërfaqe të mbjellë”, ku janë kualifikuar 20 042 aplikime.

Ndërsa për Masën 9, “Mbështetje për ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme”, janë kualifikuar 15 aplikime.

AZHBR bën të ditur se për masat 5, 6, 7 dhe 9, aplikantët e përfshirë në listat e publikuara duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda 20 ditëve kalendarike nga data e publikimit të listave në faqen zyrtare të agjencisë.

Sa i përket Masës 8, dokumentacioni është ngarkuar elektronikisht gjatë aplikimit. Aplikantët për të cilët do të konstatohen mangësi gjatë kontrollit administrativ do të njoftohen individualisht dhe do të kenë 10 ditë kalendarike për plotësimin e dokumentacionit.

Pas përfundimit të verifikimeve administrative, AZHBR do të publikojë listën përfundimtare të përfituesve dhe vlerën përkatëse të mbështetjes financiare për Masën 8.

Agjencia thekson se mosplotësimi i kritereve të përfitueshmërisë dhe i dokumentacionit brenda afateve të përcaktuara përbën kriter skualifikimi.

Pak ditë më parë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, publikoi listat e aplikimeve të kualifikuara edhe për masat mbështetëse në blegtori dhe bletari, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, ku janë kualifikuar 21 mijë blegtorë e bletarë.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 është instrumenti kryesor financiar i qeverisë për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural. Për vitin 2026, fondi i vënë në dispozicion arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa skema përfshin 12 masa mbështetëse, të ndara në 9 masa me pagesa direkte dhe 3 masa investimesh.

Aplikimet për fermerët u hapën më 25 maj 2026 dhe u mbyllën më 6 korrik 2026, pasi afati fillestar i parashikuar deri më 26 qershor u shty për t’u dhënë më shumë kohë aplikantëve.

Në përfundim të procesit, në të gjithë vendin u regjistruan 42 728 aplikime nga fermerë dhe subjekte bujqësore, duke reflektuar interesin e lartë për përfitimin nga masat mbështetëse.

Skema Kombëtare 2026 synon të rrisë konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, të mbështesë zhvillimin e blegtorisë, prodhimin organik, certifikimin e produkteve, peshkimin dhe investimet në ferma, duke kontribuar njëkohësisht në përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Evropian.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Çfarë po “gatuhet” në Kinë? Alfred Cako: Një elitë e fshehtë kontrollon politikën botërore, synimi është dobësimi i Evropës

TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Konspiracionisti Alfred Cako...

Nuk u kthye në burgun e Rrogozhinës pas lejes së veçantë, Aurel (Artir) Hoxhës i kishin mbetur edhe 18 muaj dënim

RROGOZHINë , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Një rast i...

Nga marshimi te përplasjet me policinë, protesta në Tiranë shoqërohet me tensione

TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Tensionet shoqëruan edhe...

Elisa Spiropali rikthehet në Kuvend pas përjashtimit nga forumet e PS-së, ulet mes deputetëve socialistë

Ish-kryetarja e Kuvendit mbërriti gjatë seancës plenare, zhvilloi një...