Nga Luçiano Boçi
TIRANË,26 korrik 2026:Albania Express News/- Ka regjime që qeverisin me ligje. Ka të tjera që qeverisin me frikë. Dhe ka një kategori akoma më të pështirë, më tinëzare.
Ato që qeverisin duke kombinuar frikën me reforma, brenda të cilave regjisori-kryeministër vishet me pëlhurën e Penelopës.
Jo me reforma që përfundojnë, japin rezultate dhe mbyllen, por me reforma të përhershme, të pafundme, që ekzistojnë vetëm për të justifikuar pushtetin.
Në Shqipëri, reforma është bërë mënyrë jetese e qeverisë. Është regjia që ofron Rama për publikun.
Kështu çdo krizë lind një reformë të re.
Dështimet mbulohen me paketa të reja.
Premtimet e pambajtura zëvendësohen me një proces të ri.
Dhe pa mbarim, vendi jeton prej vitesh në një koma-reformë pa fund, ku gjithçka ndryshon në letër, por shumë pak ndryshon në jetën e qytetarëve.
E kjo nuk është rastësi. Është filozofi pushteti.
Mitologjia greke na ka dhuruar një figurë të paharrueshme, Penelopën. Ditën endte pëlhurën, natën e ç’endte, që puna të mos përfundonte kurrë.
Ajo e bënte për të fituar kohë, për të mbrojtur familjen dhe besnikërinë ndaj Odiseut.
Ndërsa Regjimi ynë ka përvetësuar të njëjtën teknikë, por me një qëllim krejt tjetër. Ditën shpall reforma madhështore. Natën i zhbën me klientelizëm, korrupsion, përjashtime, ndryshime të njëpasnjëshme ligjore dhe mungesë vullneti për zbatim. Nuk ka rëndësi rezultati. Ka rëndësi që procesi të mos mbarojë kurrë.
Reforma në drejtësi ende quhet reformë, edhe pse kanë kaluar vite.
Reforma zgjedhore mbetet gjithmonë “në proces”. Reforma territoriale po reformohet sërish.
Reforma në arsim ndryshon çdo ministër. Reforma në shëndetësi prodhon më shumë propagandë sesa shëndet. Çdo sektor jeton në një gjendje pritjeje të përhershme.
Ndërkohë qytetari pret.
Ai pret drejtësi me stoicizmin e të burgoaurit.
Pret shërbime me durimin e besimtarit. Pret punësim me shpresën e pashuar njerëzore.
Pret zhvillim se kështu i thonë.
Pret standarde evropiane pasi i gërvishin ëndrrën.
Pra pret atë që i është premtuar prej më shumë se një dekade.
Ndërsa pushteti thjesht fiton kohë.
Sepse në këtë rast reforma e pafund është alibia perfekte.
Askush nuk kërkon llogari për një punë që, sipas qeverisë, “ende nuk ka përfunduar”.
Gjithmonë mungon edhe një fazë, edhe një paketë, edhe një strategji, edhe një konsultim.
Kjo është ajo “politika e horizontit”, horizont që largohet sa herë ti i afrohesh.
Kjo është arsyeja pse Rama e do kaq shumë fjalën “reformë”. Ajo tingëllon moderne, evropiane dhe optimiste.
Por kur përdoret pa doganë, bëhet maskë. Dhe pas maskës fshihet mungesa e rezultateve.
Tek e fundit një shtet nuk matet me numrin e reformave që shpall. Matet me numrin e problemeve që zgjidh.
Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Sa më shumë shtohen reformat, aq më shumë zgjaten hallet.
Sa më shumë shtohen strategjitë, aq më pak ndihet shteti.
Sa më shumë flitet për transformim, aq më shumë qytetarët ndiejnë se jetojnë në të njëjtin vend me të njëjtat plagë.
Kur reforma nuk mbaron kurrë, atëhere nuk kemi të bëjmë më me reformë.
Kemi të bëjmë me një metodë qeverisjeje.
Me një mekanizëm që prodhon pritje në vend të rezultateve, premtime në vend të përgjegjësisë dhe mashtrim në vend të ndryshimit.
Pëlhura e Penelopës ishte një akt mençurie për të ruajtur një familje.
Pëlhura e reformave të pafund është bërë sot instrument për të ruajtur pushtetin.
Dhe ky është paradoksi më i madh i Shqipërisë së sotme.
Nuk na mungojnë reformat.
Na mungon fundi i tyre.
Dhe që të vijë fundi i tyre duhet t’i vijë fundi regjisorit që vishet me pëlhurë…reformash e mashtrimesh.

