Futbolli shqiptar në zi/ Ndahet nga jeta ish-futbollisti i Elbasanit ,Partizanit dhe Tomorit, Sotiraq Gugu, një prej mbrojtësve më të spikatur të brezit të tij

ELBASAN ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Futbolli shqiptar ka humbur një nga emrat e njohur të brezit të artë të viteve ’70. Është ndarë nga jeta Sotiraq Gugu, ish-futbollisti i Elbasanit, Tomorit të Beratit dhe Kombëtares Shpresa, një prej mbrojtësve të djathtë më elegantë dhe më të respektuar të kohës së tij.

Lajmi i hidhur ka sjellë dhimbje në komunitetin sportiv, veçanërisht në Elbasan dhe Berat, ku Gugu la gjurmë të pashlyeshme me paraqitjet dhe kontributin e tij në fushën e lojës.

Me fanellën verdheblu të Elbasanit, Sotiraq Gugu u dallua për inteligjencën taktike, qetësinë, korrektësinë dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje. Ai ishte një futbollist që nuk spikaste vetëm për aftësitë teknike, por edhe për karakterin e tij fisnik, duke fituar respektin e bashkëlojtarëve, trajnerëve, drejtuesve dhe tifozëve.

Kontributi i tij mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit elbasanas. Gugu i përkiste atij brezi sportistësh që e nderuan fanellën e Elbasanit me dinjitet, profesionalizëm dhe pasion, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që erdhën më pas.

Karriera e tij nuk u kufizua vetëm me Elbasanin. Në sezonet 1970–1972, Sotiraq Gugu ishte një nga futbollistët më të mirë edhe te Tomori i Beratit, ku u kthye shumë shpejt në një pikë referimi të skuadrës. Ai mbetet edhe sot një nga figurat e stampuara në historinë 103-vjeçare të futbollit beratas.

Gugu iu bashkua Tomorit në vitin 1970, pasi kishte qenë pjesë e Partizanit. Transferimi i tij në Berat erdhi si rezultat i kalimit të Astrit Ziut te skuadra kryeqytetase. Debutimi me fanellën e Tomorit ishte menjëherë si titullar në ndeshjen e zhvilluar në Berat ndaj Vllaznisë, duke treguar menjëherë vlerat e tij në repartin e mbrojtjes.

Një nga ndeshjet më të kujtuara të karrierës së tij me Tomorin mbetet fitorja prestigjioze 1-0 ndaj Partizanit, ku Gugu zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer. Po ashtu, ai ishte pjesë e skuadrës beratas në vitin 1971 edhe në miqësoren ndërkombëtare të zhvilluar në Berat kundër Kombëtares së Kinës, e cila në atë periudhë drejtohej nga trajneri legjendar shqiptar Loro Boriçi.

Brenda dhe jashtë fushës së lojës, Sotiraq Gugu u vlerësua si një personalitet i sportit, një njeri me integritet, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Ai mbetet një nga emrat që kontribuoi në ngritjen e futbollit shqiptar dhe një shembull për brezat e rinj të sportistëve.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë, ish-bashkëlojtarët dhe për gjithë komunitetin sportiv shqiptar. Kujtimi dhe kontributi i Sotiraq Gugut do të jetojnë përherë në historinë e futbollit të Elbasanit, Tomorit dhe futbollit shqiptar në tërësi. U prehtë në paqe.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Franca gjunjëzohet nga zjarret, mbi 220 mijë persona evakuohen pranë Bordeaux

FRANCË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Zjarret masive në jugperëndim...

Sorrat e korbat refuzuan Besën? Rama i prerë: As të mos reshtin së kërkuari dorëheqjen, deri në 2029 po të duan

TIRANË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka...