TIRANË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Periudha verore po shoqërohet me një bilanc shqetësues të aksidenteve rrugore në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, nga 1 qershori deri më 25 korrik 2026 janë regjistruar të paktën rreth 240 aksidente rrugore në të gjithë vendin, ku kanë humbur jetën 28 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur. Vetëm gjatë muajit korrik në vendin tonë janë shënuar 11 viktima, ndërsa shkaku kryesor i një pjese të madhe të aksidenteve mbetet tejkalimi i shpejtësisë së lejuar.
Një nga akset më problematike vijon të jetë Unaza Lindore e Tiranës, në segmentin që lidh Farkën me rrethrrotullimin e TEG-ut dhe autostradën Tiranë–Elbasan. Segmenti i drejtë, i kombinuar me një pjerrësi të lehtë, shpesh i nxit drejtuesit e mjeteve të lëvizin me shpejtësi të lartë, duke e kthyer zonën në një pikë me rrezik të shtuar për aksidente.
Ngjarja më e rëndë e ditëve të fundit ndodhi në këtë aks, ku një automjet beton-pompë humbi kontrollin, u përplas me një makinë tjetër në rrethrrotullim dhe më pas përfundoi në autostradë, duke shkaktuar vdekjen e dy shtetasve egjiptianë. Shkaqet e plota pritet të përcaktohen nga ekspertiza, por pamjet filmike tregojnë se mjeti lëvizte me shpejtësi të konsiderueshme. I njëjti segment ka qenë skenë edhe e një tragjedie në mars të vitit 2023, ku humbën jetën tre të rinj pas një aksidenti të ngjashëm.
Edhe javët e fundit kanë qenë të mbushura me aksidente fatale në pjesë të ndryshme të vendit. Më 14 korrik, në aksin Cërrik–Mollas, pranë fshatit Selvijas, përplasja e një automjeti tip “Benz” me një “Smart” shkaktoi dy viktima dhe një të plagosur. Vetëm dy ditë më pas, në rrugën Elbasan–Librazhd, një 19-vjeçar humbi jetën pasi automjeti që drejtonte doli nga rruga. Më 18 korrik, në Zvërnec, humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti, pas një aksidenti me motor me katër rrota. Ndërsa më 30 qershor, autobusi i linjës Berat–Tiranë u përplas në autostradën Durrës–Tiranë, pranë Yrshekut, ku humbi jetën drejtuesi i autobusit dhe mbetën të plagosur 12 pasagjerë.
Sipas burimeve zyrtare pranë Policisë së Shtetit, gjatë periudhës 1 qershor – 25 korrik, janë regjistruar 28 viktima në aksidente rrugore, ndërsa numri total i aksidenteve ka arritur në rreth 240, me një numër të konsiderueshëm të të plagosurve.
Statistikat e përpunuara nga INSTAT për pesë muajt e parë të vitit tregojnë se janë regjistruar 547 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën ose janë plagosur 766 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i aksidenteve është rritur me 18 raste, pasi në janar–maj 2025 ishin regjistruar 529 aksidente. Megjithatë, numri i përgjithshëm i viktimave dhe të plagosurve ka shënuar një rënie të lehtë, nga 783 persona në vitin e kaluar në 766 këtë vit.
Ekspertët lidhin rritjen e aksidenteve me disa faktorë, ku ndër më kryesorët renditen shtimi i ndjeshëm i turistëve gjatë sezonit veror, rritja e numrit të automjeteve në qarkullim, si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të vitit 2025 numri i mjeteve të regjistruara në Shqipëri kaloi për herë të parë 1 milion, me një rritje prej 9.3% krahasuar me vitin 2024.
Ndërkohë, edhe pse Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet dhe masat ndëshkuese, rezultatet në uljen e aksidenteve mbeten ende të kufizuara. Në vitin 2025 u vendosën më shumë se 1 milion masa administrative, pothuajse dyfishi i atyre të vitit 2021. Vetëm gjatë një nate të fundjavës, kamerat inteligjente evidentuan 206 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi deri në 212 km/h, një shifër që tregon nivelin e lartë të shkeljeve.
Përballë kësaj situate, Kuvendi ka miratuar ndryshime në Kodin Rrugor, të cilat hyjnë në fuqi në ditët e para të muajit gusht. Ndër masat më të forta është ndëshkimi i drejtuesve që kapen duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ku në rast të përsëritjes së shkeljes për herë të dytë, ata do të humbasin përgjithmonë të drejtën për të marrë patentën. Autoritetet shpresojnë se këto ndryshime do të ndikojnë në uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.

