NGA FATMIR POPJA
PEQIN ,24 korrik 2026/Albania Express News/-Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin ka një drejtues të ri. Markiz Sallufi ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtor i institucionit, duke nisur menjëherë punën me një takim të parë me oficerët dhe drejtuesit e grupit policor të burgut, ku u prezantuan objektivat dhe prioritetet kryesore për funksionimin e institucionit në periudhën në vijim.
Emërimi i Sallufit vjen pas një karriere të gjatë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve. Më herët ai ka shërbyer si përgjegjës në Bashkinë e Peqinit, më pas ka mbajtur për katër vite detyrën e drejtorit rajonal të Tensionit të Lartë në Elbasan, ndërsa që prej 15 majit 2026 ushtronte funksionin e drejtorit të IEVP Bradashesh. Tashmë ai merr drejtimin e IEVP Peqin, një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit penitenciar në vend.

Në kuadër të marrjes së detyrës, drejtori i ri zhvilloi mbledhjen e parë të punës me strukturat drejtuese dhe efektivët e policisë së institucionit. Gjatë takimit u diskutuan prioritetet që do të udhëheqin punën e institucionit në muajt e ardhshëm, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet të gjitha strukturave, rritjen e efektivitetit në përmbushjen e detyrave funksionale, si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe zbatimit të ligjit në çdo aspekt të veprimtarisë së institucionit.
Në fjalën e tij, Markiz Sallufi theksoi se suksesi i institucionit lidhet ngushtë me profesionalizmin, disiplinën dhe përgjegjshmërinë e çdo punonjësi. Ai nënvizoi se çdo punonjës ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e institucionit dhe se vetëm përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, komunikimit të hapur dhe punës në ekip mund të arrihen standarde gjithnjë e më të larta në administrimin e institucionit.
Drejtori i ri vuri theksin edhe te respektimi rigoroz i procedurave ligjore dhe standardeve profesionale, duke kërkuar angazhim maksimal nga i gjithë personeli për përmbushjen e misionit të IEVP Peqin dhe garantimin e një mjedisi të sigurt e funksional, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ku drejtuesit dhe efektivët shprehën gatishmërinë për të vijuar punën me përkushtim dhe përgjegjësi. Në përfundim u theksua se fokusi i institucionit do të mbetet forcimi i kulturës institucionale, rritja e eficiencës në punë dhe përmbushja e detyrimeve ligjore sipas standardeve më të larta profesionale.
Me eksperiencën e krijuar në administratën vendore, sektorin energjetik dhe së fundmi në sistemin penitenciar, Markiz Sallufi pritet të sjellë një qasje të orientuar drejt menaxhimit efikas, bashkëpunimit institucional dhe forcimit të sigurisë në IEVP Peqin.



