SPANJË ,23 korrik 2023/Albania Express News/-Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, prej kohësh i është futur edhe tregut të transferimit të lojtarëve dhe së fundmi ka marrë pjesë në një nga operacionet më të bujshme të merkatos evropiane.
Në profilin e tij në Instagram, Rama ka publikuar foto në klubin e Barcelonës gjatë prezantimit të sotëm të sulmuesit me pasaportë gjermane nga klubi i Borussia Dortmund.
Ai shihet krah presidentit Laporta dhe pjesës tjetër të ekuipazhit menaxherial që ka bërë të mundshëm transferimin e sulmuesit në “Camp Nou”, mes tyre edhe superagjenti Jorge Mendes.
“Shumë krenar të punoja për të sjellë Karim Adeyemin te Barcelona së bashku me Jorge Mendes dhe Tino Taho. Faleminderit presidentit të Barcelonës, Joan Laporta dhe drejtorit sportiv, Deco për mikpritjen e ngrohtë. Fat të mbarë Karim”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Sipas Ramës, krahas punës së Jorge Mendes dhe drejtuesve të klubit, kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Tino Taho. Ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm edhe për futbollin shqiptar, pasi dëshmon se emra shqiptarë po bëhen pjesë e negociatave në nivelin më të lartë të merkatos europiane.
Lidhja e Adeyemit me Shqipërinë nuk është vetëm përmes asistencës së Ramës në operacionin e transferimit, pasi ai prej vitesh është në një lidhje me këngëtaren e njohur me origjinë nga Kosova, Loredana.

