Elbasan, stacion i ri zjarrfikës në Bradashesh/ Këshilli Bashkiak miraton shtimin e kapaciteteve për përballimin e emergjencave

ELBASAN ,22 korrik 2026/Albania Express News/-10 punonjës të rinj dhe bazë e re operacionale për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin. Objektivi: reagim më i shpejtë në zonat industriale, aksin Elbasan–Tiranë dhe njësitë administrative përreth

-Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar ngritjen e një stacioni të ri të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Njësinë Administrative Bradashesh, një vendim që synon forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatave emergjente në territorin e bashkisë.

Stacioni i ri do të ngrihet pranë godinës së Njësisë Administrative Bradashesh dhe do të shoqërohet me shtimin e 10 punonjësve operacionalë në strukturën e Drejtorisë së Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Ky vendim vjen në një kohë kur numri dhe kompleksiteti i ndërhyrjeve emergjente është rritur ndjeshëm, duke përfshirë zjarret në ambiente urbane dhe pyjore, aksidentet rrugore, përmbytjet, si dhe incidentet në zonat industriale.

Sipas vendimit të miratuar, ngritja e stacionit të dytë synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e reagimit të ekipeve zjarrfikëse dhe të garantojë një mbulim më të mirë të territorit të Bashkisë Elbasan.

Bradasheshi, pikë strategjike për ndërhyrjet emergjente

Zgjedhja e Bradasheshit si vendndodhje për stacionin e ri lidhet me pozicionin e tij strategjik. Nga kjo zonë mund të sigurohet ndërhyrje më e shpejtë në aksin rrugor Elbasan–Tiranë, në zonat industriale, si edhe në njësitë administrative Bradashesh, Gracen dhe Papër.

Këto zona gjatë muajve të verës përballen me rritje të rrezikut për zjarre në sipërfaqe pyjore dhe bujqësore, ndërsa prania e aktiviteteve industriale e bën të domosdoshëm forcimin e masave të sigurisë dhe gatishmërisë operacionale.

Stacioni i ri pritet të pajiset me automjete zjarrfikëse, mjete të specializuara, pajisje moderne dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e tij.

Më shumë siguri për zonën industriale të Elbasanit

Një tjetër objektiv i këtij investimi është rritja e nivelit të mbrojtjes për zonën industriale të Elbasanit, ku operojnë biznese dhe aktivitete prodhuese me potencial të shtuar rreziku.

Përmes këtij zgjerimi të shërbimit synohet mbrojtja më efikase e jetës së qytetarëve, pronës, mjedisit dhe investimeve, duke krijuar mundësi për reagim më të shpejtë dhe profesional në rastet e emergjencave.

Gjendja aktuale e shërbimit zjarrfikës në Elbasan

Aktualisht, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Elbasan funksionon me një stacion zjarrfikës dhe një flotë prej 6 automjetesh zjarrfikëse me pompë centrifugale, një autoshkallë dhe një autobot uji me kapacitet 14 ton.

Ky shërbim disponon një personel prej 42 punonjësish, të cilët mbulojnë ndërhyrjet në të gjithë territorin e bashkisë.

Por zgjerimi i territorit administrativ, zhvillimi industrial, shtimi i lëvizjes në rrugët kryesore dhe rritja e rrezikut nga zjarret gjatë sezonit të nxehtë kanë sjellë nevojën për shtimin e kapaciteteve.

Me ngritjen e stacionit të ri në Bradashesh dhe shtimin e stafit operacional, Bashkia Elbasan synon të krijojë një sistem më të fuqishëm reagimi ndaj emergjencave dhe një mbulim më të balancuar të territorit, veçanërisht në zonat perëndimore dhe përgjatë korridorit Elbasan–Tiranë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME