ELBASAN ,18 korrik 2026 /Albania Express News/-Biblioteka Publike “Qemal Baholli” në qytetit e Elbasanit u kthye pak ditë më parë në një hapësirë të veçantë të fjalës së shkruar dhe dialogut kulturor duke mirëpritur promovimin e librit “Gruaja që endej hijeve”, vëllimi i parë me tregime i autores Irena Dragoti.
Ky botim shënon një etapë të re në krijimtarinë letrare të autores e cila përmes prozës së saj sjell një rrëfim të ndjeshëm mbi botën e brendshme të njeriut, kujtesën, marrëdhëniet, plagët e padukshme dhe kërkimin e vazhdueshëm të dritës përtej vështirësive të jetës.

Një dimension i veçantë i rrugëtimit të Irena Dragotit është edhe përvoja e saj jetësore larg vendlindjes. Irena Dragoti jeton dhe punon prej më shumë se një dekade në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka ndërtuar jetën e saj profesionale dhe familjare, por pa u shkëputur nga lidhja me gjuhën shqipe, kulturën dhe letërsinë. Krijimtaria e saj është një dëshmi e fuqisë së fjalës artistike për të kapërcyer kufijtë gjeografikë dhe për të ruajtur të gjallë lidhjen me rrënjët.
Botuar nga Shtëpia Botuese M&B, libri vjen te lexuesi falë përkushtimit të botuesve Bujar Karoshi dhe Miranda Goleci, ndërsa redaktimi është realizuar me profesionalizëm nga Kliton Nesturi.

Veprimtaria letrare u organizua nën kujdesin e drejtoreshës së Bibliotekës “Qemal Baholli”, Elisa Janku, si dhe të specialistes së bibliotekës Liljana Xhafa dhe kolegeve të saj , në bashkëpunim me Botimet M&B. Autorja e librit Irena Dragoti shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen, besimin dhe përkushtimin e të gjithë atyre që e shoqëruan këtë rrugëtim krijues.
Promovimi ishte një pasdite jashtëzakonisht e këndshme kushtuar letërsisë, ku në qendër të bisedës ishte tregimi si formë artistike, procesi krijues dhe marrëdhënia e veçantë që krijohet mes autores dhe lexuesit. Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me botën letrare të Irena Dragotit dhe me mesazhet që përcjell secili prej tregimeve të saj.

“Gruaja që endej hijeve” është një përmbledhje tregimesh që depërton në thellësinë e shpirtit njerëzor, duke sjellë personazhe që përballen me dashurinë, humbjen, tradhtinë, vetminë, kujtesën dhe shpresën. Çdo tregim është një copëz jete, ku emocionet dhe përvojat njerëzore marrin zë përmes një rrëfimi të ndjerë dhe realist.
Liljana Xhafa ,në vlerësimin e bërë për autoren Irena Dragoti e cilësoi librin “Gruaja që endej hijeve” si një takim të kujtesës me shpirtin njerëzor duke theksuar se tregimet e saj krijojnë një hapësirë ku fjala artistike shndërrohet në dialog mes jetës, ndërgjegjes dhe kohës.

Në sallën e Bibliotekës Publike ‘Qemal Baholli’, libri i ri i promovuar nga Irena Dragoti u kthye në një komunikim interesant mes autores dhe lexuesve duke dëshmuar se letërsia mbetet një nga mënyrat më fisnike për ta kuptuar njeriun dhe botën ku jeton.
Në këtë udhëtim letrar ishin pranë autores ,familjarë, miq, kolegë, krijues, anëtarë të Klubit të Krijuesve të Elbasanit, dashamirës të librit dhe lexues të shumtë, të cilët i dhanë këtij promovimi vlera dhe krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese.

Gjatë veprimtarisë, krijimtaria e Irena Dragotit u vlerësua edhe nga personalitete të pranishme në sallë, mes tyre pedagogu Ardian Tana, si dhe pjesëmarrës të tjerë të jetës kulturore dhe akademike. Ata evidentuan nivelin artistik të tregimeve, ndjeshmërinë e rrëfimit dhe aftësinë e autores për të ndërtuar personazhe të besueshme, të cilat mbartin përvoja dhe emocione thellësisht njerëzore.
Vlerësimet e shprehura gjatë promovimit e cilësuan librin “Gruaja që endej hijeve” si një kontribut të çmuar në prozën bashkëkohore, ndërsa autoren e përgëzuan për guximin krijues, për gjuhën e pasur letrare dhe për mënyrën e veçantë me të cilën ajo sjell në letër histori që prekin kujtesën dhe shpirtin e lexuesit.

Të pranishmit theksuan se rrugëtimi letrar i Irena Dragotit është një dëshmi e përkushtimit ndaj fjalës së shkruar dhe e faktit se krijimtaria e mirë nuk njeh kufij, duke lindur dhe u zhvilluar aty ku autorja mbart përvoja, kujtime dhe ndjenja të vërteta njerëzore.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua edhe Bashkisë Elbasan, për mbështetjen ndaj veprimtarive kulturore dhe për rolin që luan në nxitjen e jetës artistike të qytetit. Po ashtu, u vlerësua puna e stafit të Bibliotekës “Qemal Baholli”, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm vijon ta mbajë bibliotekën një pikë takimi për librin, dijen dhe kulturën.
Prania e mediave lokale e bëri këtë aktivitet pjesë të një komunikimi më të gjerë me publikun, duke i dhënë jehonë një vepre të re që i shtohet pasurisë së letërsisë bashkëkohore shqipe.Hija, për të cilën flet titulli i librit, nuk është vetëm simbol i dhimbjes apo i kujtimeve të vështira, por edhe hapësira ku njeriu kërkon dritën e vet. Dhe pikërisht ky është një nga misionet më të bukura të letërsisë ,të na kujtojë se edhe në rrugëtimet më të vështira, fjala e shkruar di gjithmonë të gjejë rrugën drejt shpresës.
Një zgjedhje domethënëse dhe plot simbolikë e autores Irena Dragoti ishte vendi ku ajo zgjodhi të prezantojë për herë të parë veprën e saj më të re. Edhe pse prej më shumë se një dekade jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo zgjodhi që “Gruaja që endej hijeve” të takohej me lexuesin pikërisht në Elbasan, qytetin ku ajo krijoi familjen e saj rreth tri dekada më parë, ku hodhi rrënjët e jetës së saj dhe ku për më shumë se 20 vite i shërbeu arsimit si mësuese.
Ky rikthim letrar në qytetin që ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë së saj personale dhe profesionale, vjen si një shenjë mirënjohjeje ndaj vendit ku ajo ka ndarë vite të tëra pune, përkushtimi dhe përvoje njerëzore. Elbasani për autoren nuk është vetëm vendi i një promovimi, por një hapësirë kujtimesh, emocionesh dhe lidhjesh të forta shpirtërore, të cilat tashmë marrin jetë edhe përmes letërsisë së saj.

Me këtë zgjedhje, Irena Dragoti dëshmoi se pavarësisht largësisë dhe jetës së ndërtuar përtej oqeanit, lidhja me vendin ku ka krijuar familjen, ka edukuar breza nxënësish dhe ka lënë gjurmën e saj profesionale, mbetet e pazëvendësueshme. Libri i saj u kthye kështu në një urë mes dy vendeve, mes përvojës amerikane dhe kujtimeve shqiptare që kanë ushqyer krijimtarinë e saj.


