“Trofta Xhyra”, modeli i suksesit që po zhvillon akuakulturën dhe turizmin rural në fshatin Xhyrë në bashkinë e Librazhdit

NGA FATMIR POPJA

LIBRAZHD ,16 korrik 2026/Albania Express News/-Në qendër të fshatit Xhyrë, në Njësinë Administrative Hotolisht të Bashkisë Librazhd, një sipërmarrje familjare është kthyer në një shembull të suksesit dhe zhvillimit të ekonomisë lokale. “Trofta Xhyra”, ferma e akuakulturës e drejtuar nga Albert Hoxha, është një nga bizneset më të njohura të zonës, duke sjellë një model të ri të shfrytëzimit të potencialeve natyrore përmes teknologjisë moderne dhe standardeve të larta të prodhimit.

Ujërat e pastra dhe të freskëta të kësaj zone malore krijojnë kushtet ideale për rritjen e troftës, ndërsa puna e vazhdueshme dhe investimet në infrastrukturë e kanë shndërruar këtë fermë në një pikë të rëndësishme të akuakulturës në rajon.

Këtë javë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, vizituan fermën e akuakulturës së Albert Hoxhës, duke u njohur nga afër me mënyrën e funksionimit të saj, investimet e kryera dhe kontributin që kjo sipërmarrje jep në zhvillimin e sektorit të akuakulturës.

Gjatë vizitës u vlerësua se “Trofta Xhyra” përfaqëson një model suksesi, ku ndërthuren teknologjia moderne, standardet e cilësisë dhe përdorimi i burimeve natyrore të zonës, duke krijuar një aktivitet ekonomik të qëndrueshëm dhe vende pune për komunitetin.

Përtej prodhimit të troftës së freskët, kjo sipërmarrje po ndihmon edhe në promovimin e zonës së Xhyrës si një destinacion me potencial turistik. Vizitorët që ndalojnë këtu jo vetëm shijojnë një produkt autentik të zonës, por përjetojnë edhe bukurinë natyrore, qetësinë dhe mikpritjen karakteristike të fshatrave të Librazhdit.

Zhvillimi i fermave të tilla në zonat rurale shihet si një mundësi e rëndësishme për forcimin e ekonomisë lokale, mbështetjen e fermerëve dhe promovimin e produkteve shqiptare me cilësi të lartë.

 

“Trofta Xhyra” është sot një histori suksesi që dëshmon se investimi në bujqësi, akuakulturë dhe turizëm rural mund të sjellë zhvillim edhe në zonat malore, duke i dhënë një vlerë të re pasurive natyrore të Librazhdit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME