Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mbledh drejtuesit në qarqe: Urdhër për masa të forta kundër krimit, drogës, zjarreve dhe armëmbajtjes pa leje

TIRANË ,15 korrik 2026/Albania Express News/-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e departamenteve, ku në fokus ishte analiza e situatës së rendit dhe sigurisë publike, si dhe përcaktimi i prioriteteve të punës për periudhën në vijim.

Gjatë mbledhjes, Hita kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e tyre në kohë dhe ndjekjen me prioritet të çdo shqetësimi të adresuar nga qytetarët. Ai theksoi se çdo rast duhet të trajtohet me profesionalizëm dhe përgjegjësi deri në përfundimin e plotë të procedurave hetimore.

Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi rritjen e prezencës së Policisë në terren, forcimin e masave për sigurinë rrugore dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo situate që prek qytetarët dhe turistët.

Në drejtim të luftës kundër kriminalitetit, Hita urdhëroi intensifikimin e operacioneve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si në ambiente të mbyllura me llamba, ashtu edhe në terren. Po ashtu, ai kërkoi goditje pa kompromis të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke e cilësuar këtë fenomen si një nga kërcënimet më serioze për sigurinë publike dhe të ardhmen e të rinjve.

Në takimin me drejtuesit vendorë u kërkua gjithashtu vijimi me intensitet i aksioneve kundër armëmbajtjes pa leje, kapja e personave në kërkim, goditja e lojërave të fatit të paligjshme, lufta ndaj krimeve mjedisore dhe rritja e rezultateve në të gjitha drejtimet e veprimtarisë policore.

Për shkak të situatës së zjarreve në vend, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal të strukturave të Policisë për parandalimin e tyre, identifikimin dhe arrestimin e autorëve të çdo rasti zjarrvënieje, duke nënvizuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit mbetet një prioritet i padiskutueshëm.

Në përfundim të takimit, Skënder Hita u kërkoi drejtuesve të policisë në qarqe dhe shefave të komisariateve të jenë personalisht në krye të shërbimeve, të shtojnë praninë në zonat problematike, të ushtrojnë drejtim efektiv të strukturave që drejtojnë dhe të forcojnë bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese, me synimin për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME