Rama: Duhet të kalojmë në turizëm elitar, përfitime më të mëdha për ekonomitë lokale

TIRANË, 11 korrik 2026 /Albania Express News/ -Kryeministri Edi Rama tha sot se debati për investimin turistik në Zvërnec është shoqëruar me dezinformim dhe se kundërshtimet ndaj zhvillimeve të tilla duhet të bazohen te faktet.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026” në Jalë, Rama tha se nëse do të besonte akuzat e ngritura për Zvërnecin, do të ishte bashkuar me protestat kundër projektit.

Rama tha se sfida kryesore sot është përballja me dezinformimin dhe mënyra se si qytetarët informohen për vendimmarrjet publike. Rama foli edhe për ndikimin që debati rreth Zvërnecit ka pasur në turizëm, duke thënë se gjatë muajve të fundit janë shënuar anulime të shumta rezervimesh.

“E kam thënë në ditët e para të asaj protestës dhe përsëris: sikur unë të besoja çfarë u tha për Zvërnecin, jo, do kisha dalë në protestë, po do isha akoma aty, sepse ato që u thanë ishin të tmerrshme, por fatmirësisht të pavërteta. Majin, ne e kemi pasur me një rritje tjetër shumë të lartë të turizmit, qershorin nuk e kemi. Shifra e fundit që kam parë është barazim me vjet. Ndërkohë, që po të shohim trendin nga janari duhet të ishte bum. Kemi pasur anulime pafund. Në emër të Shqipërisë janë goditur shqiptarët, është goditur puna e njerëzve që janë në pritje gjithë dimrin që të vijë kjo kohë, janë goditur të ardhurat. Dhe përse? Për arsye që janë shumë më komplekse sesa Zvërneci, patjetër, por tani këtu flasim për Zvërnecin se aty u ngrit historia e tradhtisë, e shitjes. Sikur të ishin gjithë tradhtarët si puna ime, Shqipëria s’do kishte asnjë tradhtar”, tha Rama.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat se qeveria e tij synon betonizimin e zonave natyrore, duke renditur sipas tij disa nga masat e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit. Rama përmendi krijimin e Agjencisë së Zonave të mMrojtura, anulimin e dhjetëra lejeve për hidrocentrale në zona si Vjosa dhe Valbona, si dhe mbjelljen e miliona pemëve.

“Me siguri shumë nga gjërat, nuk dihen, po kemi mbjellë 5 milion pemë, kemi bërë një sistem të tërë të zonave të mbrojtura. Zonat e mbrojtura i kemi bërë ne, ligjin e zonave të mbrojtura, i pari ligj i Zonave të Mbrojtura e kemi bërë ne, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura e kemi krijuar ne, 40 e kusur hidrocentrale leje të dhëna më parë në shtratin e Vjosës i kemi anuluar ne. 9 hidrocentrale në Valbonë nga 11, 2 nuk patëm çfarë t’i bëjmë sepse ishin nisur. Po, 9 hidrocentrale në lumin e Valbonës i kemi anuluar ne. Pra, të anulosh gjithë këto hidrocentrale nuk është të prishësh, të prishësh tenda, është të shkosh kundër interesash financiare të mëdha, e kemi bërë. Tani, si mund, si mund të jemi ne dhe si mund të jem unë njeriu që do betonizojë Zvërnecin? Çfarë muhabeti është ky?”, tha Rama.

Duke folur për zhvillimin e turizmit, Rama tha se Shqipëria duhet të kalojë nga turizmi masiv te një model që tërheq vizitorë me konsum më të lartë. Sipas Ramës, resortet e nivelit të lartë sjellin përfitime më të mëdha për ekonominë lokale, duke krijuar vende pune dhe duke nxitur prodhimin vendas.

“E vërteta është që unë besoj shumë se ne jemi në një fazë që mund të shkojmë shumë më lart, ose mund të shkojmë poshtë. Pse? Sepse turizmi masiv ne nuk na çon shumë më lart, po na çon poshtë. Dhe ne duhet të kalojmë tek një kategori tjetër turisti dhe konsumatori. Ne duhet kërkojmë që këtu të vijnë ata që shpenzojnë shumë. Juve të gjithë e keni dëgjuar Mykonos-in. Çfarë është Mykonos? Mykonos është një vend ku shkojnë turistë që konsumojnë shumë, edhe është një vend i vogël që ka të ardhurat më të larta gjatë sezonit të verës nga të gjitha destinacionet e tjera të Greqisë. Pse? Sepse aty ka tjetër nivel. Ideja që këto resortet e mëdha turistike të luksit janë për ata që vijnë, nuk janë për ne, është një idiotësi. E kundërta është e vërtetë. Ato sjellin të ardhura në ekonominë tonë shumë më tepër, njëri nga ata sjell në ekonominë tonë shumë më tepër se sa sjellin 100 që janë të nivelit më të ulët. Është e provuar, sepse ata nuk vijnë në Hënë, ata vijnë në një vend ku, në radhë të parë do të marrin njerëzit që punojnë, “jo, po nuk do na marrin ne ata, do marrin filipinasit.” Patjetër do t’i marrin dhe filipinasit në qoftë se ti nuk do që të shkosh të punosh. Sot këtu ku jemi, në këtë vend ku jemi, në gjithë këtë gji nuk ka paga më të ulëta se në Greqi, nuk ka në të gjithë zinxhirin nuk ndodh”, tha Rama.

Rama foli gjithashtu për përfshirjen e arkitektëve ndërkombëtarë në projektet e zhvillimit në Shqipëri, duke thënë se kjo mund të ndikojë në rritjen e standardeve të ndërtimit dhe arkitekturës.

Ai përmendi shembullin e qytetit të Bilbaos në Spanjë dhe muzeun e projektuar nga arkitekti Frank Gehry, si një rast ku arkitektura ka ndikuar në transformimin ekonomik të një destinacioni.

“U mor një libër, shkoi në prokurori. Çfarë është ai libri? Projektet e arkitektëve të huaj në Shqipëri. Projektetet e arkitektëve huaj në Shqipëri, të cilat janë projekte të investitorëve shqiptarë që duan të bëjnë ndërtime. Pra, nuk është se arkitektët e huaj vijnë bashkë me ndërtimet, vijnë që të bëjnë projekte për ata që të ndërtojnë këtu dhe o do t’i bëjë dikush, o do i bëjë dikush tjetër, o dikush tjetër. Tani, është më mirë që godinat tona, se po vija dhe pashë ca pallate që po ndërtoheshin nga i pandalshmi kryetar i bashkisë së Kavajës. Po ndërtoheshin, nuk flet njeri asgjë, nuk thotë njeri asgjë aty vazhdon një pyllëzim pallatesh, niveli ZH. Bilbao ishte një qytet i mallkuar, për shkak edhe të gjithë historisë së terrorizmit, ETA, e ku di unë se çfarë. Me një muze të Frank Gehry, Bilbao u kthye në një destinacion që u transformua komplet ekonomikisht vetëm me një muze dhe paguajnë qimet e kokës. Gjithë ata sorrat, se sorra ka kudo u hodhën që: “ç’është kjo e, si do harxhoj ne qindra milion për një muze?”, vetëm nga ai muze”, tha ai.

Rama theksoi se projektet e zhvillimit duhet të respektojnë standardet evropiane dhe se një projekt që nuk pranohet nga Bashkimi Evropian nuk mund të realizohet.

“Në fund fare, një gjë është pak, po e sigurt. Ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon Bashkimin Europian, nuk e bëjmë dot. Ose duhet të themi: nuk futemi në Bashkimin Europian. Kaq e thjeshtë është historia. Kaq e thjeshtë është historia. Dhe kur them Bashkimi Europian, unë flas për Komisionin Europian, nuk flas për ato, tre-katër të gjelbërat që erdhën këtu dhe flisnin përçart”, tha Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kafeja që nuk pihet me buzë, por me zemër: Pesë miq, pesë jetë, një histori që flet për qytetarinë

Nga Bujar Qesja DURRËS ,11 korrik 2026/Albania Express News/-Një filxhan...

Protesta kombëtare për dorëheqjen e Ramës hyn në ditën e 42, sot i bashkohen revoltës edhe shqiptarë nga diaspora

TIRANË ,11 korrik 2026/Albania Express News/-Protesta kombëtare kundër qeverisë...

Ylli shqiptar lë Dormtundin në pritje, kërkon të transferohet vetë te Barcelona

KOSOVË ,11 korrik 2026/Albania Express News/-Sulmuesi kosovar ka vendosur...