VLORË ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Vlorës, Aurel Bylykbashi, ka reaguar me një mesazh të gjatë publik në rrjetet sociale, ku shpreh shqetësimin për situatën politike në vend dhe kërkon që Partia Demokratike të ndërmarrë një aksion të qartë politik, pa humbur më kohë.
Sipas Bylykbashit, ditët po kalojnë, ndërsa kryeministri Edi Rama, sipas tij, “po blen kohë”, në një periudhë kur vendi po i afrohet zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm dhe kur pritet edhe vendimmarrja e Komisionit të Reformës Territoriale.
Ai shprehet se mazhoranca ka numrat e nevojshëm për të miratuar ndryshimet që dëshiron, duke paralajmëruar se një nga skenarët mund të jetë reduktimi i numrit të bashkive, gjë që, sipas tij, do ta favorizonte maksimalisht qeverinë në zgjedhjet lokale.
Në reagimin e tij, Bylykbashi ndalet edhe te protestat e opozitës, duke theksuar se Partia Demokratike i ka mbështetur ato, por sipas tij, organizatorët nuk kanë dashur ta përfshijnë PD-në në mënyrë aktive. Ai shton se, nëse opozita vazhdon vetëm me mbështetje pasive ndaj protestave, rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve politike.
“Ne duhet të përcaktojmë aksionin tonë politik”, shkruan Bylykbashi, duke theksuar se demokratët nuk duhet të kenë frikë nga kritikat politike apo ndërkombëtare dhe se është koha për të ndërmarrë veprime konkrete kundër qeverisë.
Në fund të mesazhit të tij, ai thekson se askush nuk mund t’ia heqë Partisë Demokratike të drejtën për të luftuar politikisht kundër Edi Ramës, ndërsa paralajmëron se çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda për opozitën. Duke iu referuar historisë, Bylykbashi përmbyll reagimin me një krahasim me Mit’hat Frashërin, duke nënvizuar se pritja e aleatëve mund të rezultojë fatale.
Postimi i tij vjen në një moment kur debati për reformën territoriale dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore kanë nisur të zënë vend në axhendën politike të vendit.

