Rama: Spitali i ekselencës europiane nga grupi San Donato në Tiranë, trajtim edhe i sëmundjeve të komplikuara

TIRANË, 7 korrik 2026 /Albania Express News/ -Në Tiranë u prezantua projekti HHH (Health Hub Hospital), një qendër e re spitalore që do të zhvillohet nga grupi San Donato, për të ofruar shërbime të avancuara shëndetësore sipas standardeve europiane.

Projekti parashikon ndërtimin e një strukture moderne, e specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive komplekse, duke synuar njëkohësisht të forcojë kapacitetet e sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe të konsolidojë rolin e vendit si një qendër rajonale e shërbimeve shëndetësore në Ballkanin Perëndimor.

Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe italiane, drejtues të Grupit San Donato, si dhe përfaqësues të komunitetit mjekësor.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e rastit, vlerësoi projektin e HHH (Health Hub Hospital), duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për transformimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor shqiptar dhe një destinacion të ri shëndetësor për Ballkanin Perëndimor.

Në prezantimin e projektit, Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka kaluar shumë kohë nga takimi i parë me drejtuesit e grupit San Donato, kur palët ndanë angazhimin për të sjellë në Tiranë një spital italian të ekselencës, duke krijuar një mundësi të re për pacientët shqiptarë që deri më sot janë detyruar t’u drejtohen Italisë, Turqisë apo vendeve të tjera për trajtimin e patologjive të ndërlikuara.

“Sot jemi dëshmitarë të një kapitulli të ri për shëndetësinë shqiptare, sepse ky spital ekselence do të trajtojë edhe sëmundje të komplikuara dhe do të sjellë standarde të reja në sistemin tonë shëndetësor”, tha Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Angelino Alfano, të cilin e cilësoi mik të Shqipërisë, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Italisë.

“Ai ka ardhur më shumë se një herë në Tiranë për të treguar mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe sot rikthehet për të mbështetur një sektor kaq të rëndësishëm si shëndetësia”, u shpreh Rama.

Një falënderim të veçantë Kryeministri ia adresoi edhe ish-ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, të cilin e cilësoi “më shqiptar nga italianët dhe më italian nga shqiptarët”, duke vlerësuar kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Rama bëri të ditur se është përcaktuar edhe afati për realizimin e projektit, duke theksuar se synohet që ndërtimi i spitalit të përfundojë në fund të vjeshtës së vitit 2028.

Kryeministri falënderoi gjithashtu ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, duke e cilësuar dëshmitar të transformimit gjithnjë e më të thellë të marrëdhënieve italo-shqiptare.

Sipas Ramës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë kanë qenë gjithmonë të qëndrueshme dhe nuk janë ndikuar nga ndryshimet politike në të dy vendet, ndërsa vitet e fundit kanë marrë një dimension të ri strategjik.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera. Ato nuk janë varur asnjëherë nga ngjyrat politike apo nga fakti se kush ka qenë në qeveri në Romë apo në Tiranë, por kohët e fundit kanë marrë një karakter tërësisht dhe thellësisht strategjik”, theksoi Kryeministri.

Duke e cilësuar HHH një projekt konkret dhe strategjik, Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të shëndetësisë.

“Kemi nevojë për një shtysë tjetër përpara. E nisëm punën me një infrastrukturë jashtë çdo standardi. Kemi bërë një punë të madhe për të rindërtuar spitalet, për të hapur realitete të reja dhe për të vendosur standarde të reja në sistemin publik shëndetësor”, tha ai.

Kryeministri nënvizoi se janë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për mbështetjen e mjekëve, infermierëve dhe personelit shëndetësor, duke kaluar nga një sistem me probleme të theksuara ndër vite drejt një sistemi që po përmirësohet gradualisht.

“Kemi ende shumë punë për të bërë, jo vetëm për të garantuar një bazë shërbimi, por mbi të gjitha për të garantuar cilësinë e shërbimit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, HHH nuk do të jetë vetëm një institucion shëndetësor, por edhe një model zhvillimi për sistemin shqiptar, duke krijuar mundësi për rritjen e dijes dhe formimin e kapitalit njerëzor në vend.

“Ky realitet i ri është shumë i rëndësishëm si model, si pikë referimi dhe si platformë për rritjen e dijes dhe të kapitalit njerëzor që formohet në Shqipëri. Nuk do të jetë vetëm një spital ekselence që vjen nga jashtë, por një qendër ku ekselenca do të krijojë kushtet që mjekët dhe infermierët e rinj shqiptarë të zhvillohen profesionalisht dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në një realitet me standardet më të mira europiane”, deklaroi Kryeministri.

Në përfundim të fjalës së tij, Rama falënderoi mjekët, infermierët dhe gjithë personelin e sistemit shëndetësor të pranishëm në aktivitet, duke theksuar se shëndetësia mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë.

“Shëndetësia është një sektor me shumë sfida dhe vështirësi, që kërkon investime të mëdha, reforma të vazhdueshme dhe përkushtim maksimal. Por është edhe një sektor që duhet të jetë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve. Pikërisht këtë po përpiqemi të ndërtojmë”, përfundoi Kryeministri Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Shpërthim pranë hotelit ku qëndroi Macron në Damask, 18 të plagosur gjatë vizitës së tij në Siri

SIRI ,7 korrik 2026/Albania Express News/-Dy shpërthime kanë tronditur...

Përfshihet nga flakët një automjet në lëvizje në Cërrik, shpëton drejtuesja

Cërrik ,7 korrik 2026/Albania Express News/-Një automjet është përfshirë...

Belgjika “hesht” Trumpin, turpëron SHBA-në dhe kap çerekfinalet. Sfidon Spanjën

BOTËRORI 2026 ,7 korrik 2026/Albania Express News/-Belgjika iu përgjigj...