AF Elbasani po numëron orët për sfidën e parë ndaj BATE Borisov, e cila shënon edhe rikthimin e verdhebluve në arenën europiane pas 20 vitesh. Gjatë fazës përgatitore në Zlatibor, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka provuar disa variante në të gjitha repartet, ndërsa tashmë duket se ka krijuar një ide të qartë për formacionin që do të zbresë në fushë në “Elbasan Arena”.
Nga provat e zhvilluara në stërvitje dhe dy ndeshjet miqësore, gjithçka të çon drejt një rreshtimi 4-2-3-1, skemë që tekniku serb e ka përdorur edhe sezonin e kaluar. Risia më e madhe është se disa nga afrimet e kësaj vere pritet të marrin menjëherë fanellën e titullarit, duke dëshmuar besimin që stafi teknik ka te futbollistët e ardhur në merkato.
TITULLARËT – Formacioni i mundshëm i AF Elbasanit pritet të jetë me Aleksovskin në portë; K. Kasën, Lulajn, Epitauksin dhe Lilën në mbrojtje; përpara tyre dyshja Abas Ibrahim-Arsen Kasa do të mbajë ekuilibrin në mesin e fushës, ndërsa treshja ofensive Diallo, Tresa dhe Bajramaj do të ketë detyrën të mbështesë sulmuesin e vetëm, Rubin Hebajn. Pikërisht nga lëvizjet, shpejtësia dhe kreativiteti i kësaj tresheje pritet të vijë një pjesë e mirë e lojës sulmuese të verdhebluve në përballjen me BATE Borisov.
Nëse ky formacion konfirmohet, atëherë plot pesë afrime të merkatos së verës do ta nisin sfidën si titullarë. Aleksovski në portë, Epitauksi në qendër të mbrojtjes, Tresa në krahun e sulmit, Bajramaj në repartin ofensiv dhe Hebaj në majën e sulmit janë lojtarët që pritet të marrin menjëherë përgjegjësi në ndeshjen më të rëndësishme të fillimit të sezonit.
BESIMI – Aktivizimi i menjëhershëm i afrimeve tregon se drejtuesit nuk kanë bërë merkato vetëm për të plotësuar organikën, por për të rritur cilësinë e formacionit. Gvozdenoviç ka kërkuar futbollistë me eksperiencë dhe të gatshëm për të dhënë kontribut që në ditën e parë, duke qenë se koha në dispozicion përpara ndeshjeve europiane ishte shumë e kufizuar.
Gjatë fazës përgatitore në Serbi, tekniku provoi variante të ndryshme, por në fund duket se është orientuar drejt një formacioni që kombinon futbollistët e mbetur nga sezoni i kaluar me afrimet e reja. Kjo pritet t’i japë skuadrës më shumë ekuilibër në repartin difensiv, por edhe më shumë fantazi e shpejtësi në fazën sulmuese.
PËRBALLJA – Natyrisht, nuk përjashtohen ndryshime të minutës së fundit, pasi stafi teknik do të vlerësojë deri në fund gjendjen fizike të çdo futbollisti. Megjithatë, bërthama e skuadrës duket se është përcaktuar dhe mbi të Gvozdenoviç synon të ndërtojë strategjinë për përballjen me BATE Borisov.
Verdheblutë e konsiderojnë ndeshjen e parë në “Elbasan Arena” si momentin kyç të këtij dueli. Një rezultat pozitiv në shtëpi do t’i jepte më shumë besim skuadrës për takimin e kthimit, ndaj AF Elbasani pritet të zbresë në fushë me formacionin më konkurrues të mundshëm dhe me objektivin për të hedhur hapin e parë drejt një kualifikimi historik në UEFA Conference League.

