Rama: Investimet e huaja nuk janë kërcënim, resortet e luksit “fabrika” që krijojnë lëvizje në ekonomi

TIRANË, 2 korrik 2026/Albania Express News/-/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se investimet e huaja nuk mund të konsiderohen si kërcënim për sovranitetin dhe për integritetin territorial.

Në një bashkëbisedim me pensionistë, Rama theksoi se “duhet të jemi të vendosur që të rrisim kapacitetet tona për të konkuruar me të tjerët”.

“Nëse të gjitha vendet synojnë rritjen e investimeve të huaja, Shqipëria nuk mundet dot t’i konsiderojë investimet e huaja si kërcënim për sovranitetin dhe për integritetin territorial. Edhe për atdhetarinë dhe patriotizmin nuk është patriotizëm të refuzosh investimet e huaja”, tha Rama.

Patriotizëm, sipas tij, “është të rrisësh kapacitetin ekonomik të vendit dhe të rrisësh volumin e të ardhurave në xhepin e pensionistëve, në xhepin e atyre që i shërbejnë shtetit dhe, patjetër, edhe në xhepin e bizneseve”.

“Patriotizëm nuk është të mjaftohesh me çfarë është arritur sot, sepse nëse Shqipëria do të mjaftohet me turizmin që ka arritur sot, Shqipëria do të bjerë në një tjetër hendek, në hendekun ku kanë rënë vendet që kanë mbetur peng i turizmit masiv”, tha Rama.

Turizmi masiv, sipas tij, i ka dhënë vendit një “dorë” të jashtëzakonshme për të hapur fjalën në mbarë planetin që ky është një vend ku ia vlen të vish.

Por, Rama theksoi se turizmi masiv vjen edhe me probleme që fillojnë nga rritja e stresit të sistemit për të mbledhur plehra dhe për të përpunuar mbetje, te stresi që krijohet në të gjithë infrastrukturën apo energjinë.

Si i tillë, Rama tha se “turizmi masiv nuk përkthehet në një efektivitet të ardhurash”.

“Vijnë shumë njerëz dhe konsumojnë pak për atë masë që vjen. Ne na duhen më pak njerëz dhe më shumë para këtu. Por, që të vijnë më pak njerëz dhe të lënë më shumë para këtu, ne na duhet të kemi infrastruktura mikpritjeje të një niveli tjetër, sepse ata njerëz që lënë shumë para, duan një nivel tjetër”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se resortet e luksit janë “fabrika” që krijojnë lëvizje në ekonomi.

“Ato nuk janë sisteme të mbyllura ku vijnë njerëzit, futen dhe ikin e s’i sheh njeri. Mund të mos i shohin, por ama e gjithë ekonomia rreth e rrotull vihet në lëvizje, sepse ato ‘fabrika’ kanë nevojë për gjithë sistemin e prodhimit, kanë nevojë për fermerët rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë prodhimet vendase, kanë nevojë për gjithë sistemin e transportit rreth e rrotull, kanë nevojë për gjithë ata që peshkojnë, për të gjithë ata që rrisin dhe trajtojnë gjënë e gjallë e kështu me radhë”, tha Rama.

Sipas tij, “ato lloj investimesh sjellin, për çdo euro që lihet brenda hoteleve, 1.6 deri në 2 euro që krijohen jashtë”.

“Por, më shumë sesa të gjitha këto, flet një fakt i thjeshtë fare: Shqipëria ka 27 miliardë e diçka euro ekonomi në vit, total. Tani, vjen një investim prej 4 miliardë eurosh në një ekonomi prej 27 miliardë eurosh. Është diçka masive, transformuese dhe, patjetër, që ndërkohë këto kanë edhe një impakt tjetër. Këto hapin rrugën për të tjerët. Ndërkohë që, nëse ti “i vë shqelmin në fyt” të parit, ti ke përzënë të tjerët dhe çfarë ke bërë? I ke falur konkurrencës atë që mezi është bërë e mundur të vijë te ti”, u shpreh ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME