TIRANË ,1 korrik 2026/Albania Express News/-Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e 25 majit, me të cilin vendosi kthimin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë të kërkesës për liri të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Nga zbardhja e sotme e vendimit u mësua edhe arsyetimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pesë gjyqtarë, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska kanë dalë në një qëndrim për kthimin e çështjes në Gjykatën e Lartë.
“Për sa më sipër, në vlerësimin tonë, pretendimi i kërkuesit se masa e sigurimit personal ‘Arresti në burg’ është joproporcionale në raport me të drejtën e tij për t`u zgjedhur, është i bazuar, ndaj Gjykata duhej të kishte shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë edhe për shkak se nuk ka konstatuar këtë shkelje, duke dështuar në rolin e saj subsidiar të kontrollit të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit”, ka qenë qëndrimi i 4 prej 5 gjyqtarëve, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Sonila Bejtja dhe Fiona Papajorgji.
Ndërkohë, gjyqtarja Sonila Bejtja, në një argumentim paralel, thotë se Erion Veliaj në fakt është arrestuar pa prova të mjaftueshme dhe se qëndrimi i tij në burg është në shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Për sa më sipër, në vlerësimin tim është e dukshme se gjykatat kanë dështuar që të arsyetojnë, në përputhje me praktikën e Gjykatës dhe të GJEDNJ-së, në këtë aspekt, pra në këndvështrim të përmbushjes së garancisë kushtetuese sipas nenit 27, pika 2, shkronja “c”, të Kushtetutës, që lejon përjashtimisht kufizimin e lirisë personale të individit, duke mos ushtruar ato rolin subsidiar të kontrollit kushtetues të veprimeve të autoriteteve publike dhe të ndalimit të arbitraritetit në ushtrimin e veprimtarisë së këtyre të fundit. Duke iu referuar standardit të përdorur në këto raste, në çështjen e kërkuesit arsyetimi i gjykatave nuk bind qoftë edhe një vëzhgues objektiv se ai mund të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Po kështu, unë kam mbajtur edhe qasjen (shih mendimin paralel) se Gjykata, përveç mungesës së dyshimit të arsyeshëm, duhej të konstatonte edhe cenimin e proporcionalitetit të masës, si shkelje e aspektit substancial të lirisë personale dhe jo të lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Lartë”, argumenton gjyqtarja Bejtja.
Ajo thotë se Shkalla e Parë e GJKKO-së, Apeli i GJKKO-së dhe Gjykata e Lartë duhet të riparojnë shkeljet dhe të rivendosin liritë që i janë cënuar kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Për sa më sipër, për sa kohë që kërkuesi është arrestuar në mungesë të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale për të cilat ai akuzohet, pasi gjykatat nuk janë bazuar në prova dhe fakte konkrete dhe të individualizuara, si dhe për sa kohë që vetë masa e arrestit është joproporcionale, duke i pamundësuar atij edhe ushtrimin e mandatit të fituar, pra duke i cenuar edhe të drejtën për t’u zgjedhur, unë kam votuar për pranimin e kërkesës dhe prishjen e vendimeve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe të GJKKO-së së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në GJKKO-në e Apelit, e cila, në përputhje me kompetencat e saj, duhet të riparojë shkeljet e konstatuara dhe të rivendosë të drejtat dhe liritë kushtetuese të cenuara kërkuesit”, ka theksuar gjyqtarja Bejtja.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Marsida Xhaferllari ka thënë se mbajtja në kafazin e xhamtë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili nuk përbën rrezik, është shkelje dhe cënon dinjitetin e tij.
“Për sa më sipër, vlerësoj se mbajtja e kërkuesit të izoluar në kabinën e xhamit gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, në mungesë të verifikimit të ndonjërës prej rrethanave përjashtimore, të parashikuara nga neni 344, pika 1, i KPP-së, përbën cenim të dinjitetit të tij. Megjithatë, siç kam theksuar edhe më sipër, kjo shkelje nuk sjell domosdoshmërisht, si pasojë, shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që kanë caktuar dhe lënë në fuqi masën e sigurimit personal. Për sa kohë këto vendime plotësojnë garancitë kushtetuese që lidhen me kufizimin e lirisë personale, mjeti i përshtatshëm për rivendosjen e së drejtës së cenuar do të ishte konstatimi i shkeljes së dinjitetit si e drejtë kushtetuese, pa prekur vlefshmërinë e vendimeve për masën e sigurimit”, ka theksuar Xhaferllari.
Po në lidhje me kafazin, edhe gjyqtarja Marjana Semini, ka deklaruar se Veliajt i është cënuar dinjiteti, ndërsa thotë se gjatë kohës që Veliaj ka qëndruar në paraburgim, i është cënuar edhe e drejta e komunikimit me avokatin e tij.
“Për rrjedhojë, në vlerësimin tim përfundimtar, kërkesa e kërkuesit ishte e bazuar pjesërisht, në drejtim të cenimit të së drejtës së mbrojtjes efektive të lidhur me garantimin e komunikimit të kërkuesit me mbrojtësin e tij, si dhe në drejtim të cenimit të dinjitetit njerëzor, për shkak të izolimit të kërkuesit gjatë procesit gjyqësor në kabinën prej xhami, ndaj duhej të ishte vendosur pranimi pjesërisht i saj dhe konstatimi i cenimit të këtyre të drejtave kushtetuese”, ka thënë gjyqtarja Semini.
Edhe gjyqtari Ilir Toska thotë se Gjykata e Lartë nuk ka argumentuar pjesën arsyetuese për kufizimin e lirisë së Veliajt, në raport me të drejtën për t’u zgjedhur.
“Për sa më sipër, edhe pse pajtohem me zgjidhjen e çështjes nga Gjykata, pra me pranimin e pjesshëm të kërkesës së kërkuesit dhe shfuqizimin e vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për shkak të cenimit të standardit të arsyetimit të vendimit gjyqësor në kontrollin e proporcionalitetit të kufizimit të lirisë personale, të lidhur edhe me të drejtën për t’u zgjedhur, si dhe për shkak të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë për pretendimin për cenimin e dinjitetit dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë, për shkak të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore, kam mbajtur qëndrimin se shfuqizimi i këtij vendimi duhej të mbështetej edhe në mungesën e përgjigjes së mjaftueshme ndaj pretendimeve të kërkuesit për cenimin e së drejtës së mbrojtjes në gjykimin në apel dhe dyshimit të arsyeshëm të lidhur me prezumimin e pafajësisë. Këto pretendime kanë natyrë kushtetuese dhe ishin ngritur në mënyrë të tillë që kërkonin një përgjigje të posaçme nga
Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, në vlerësimin tim, çështja duhej t’i kthehej Gjykatës së Lartë për shqyrtim jo vetëm për shkaqet e pranuara nga Gjykata, por edhe për trajtimin e këtyre pretendimeve të kërkuesit”, ka arsyetuar gjyqtari Toska.
Ndërkohë, i vetmi gjyqtar që ka argumentuar që kërkesa e Veliajt duhet të rrëzohet në tërësi dhe se arresti i tij është i ligjshëm, është gjyqtari Asim Vokshi.
“Në përfundim, për sa më sipër, jam i qëndrimit se pretendimet e kërkuesit për cenimin e dinjitetit dhe të lirisë personale në aspektin substancial, në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes të lidhur me të drejtën për t`u zgjedhur, por edhe në drejtim të arsyetimit të individualizuar të nevojave të sigurimit nga Gjykata e Lartë, janë të pabazuara, ndaj kërkesa duhej të ishte rrëzuar”, ka arsyetuar Vokshi.

