PËRMET , 26 qershor 2026/Albania Express News/ -Mirela Kumbaro, drejtuese politike e Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, ndau në rrjetet sociale pamje të ditës së sotme nga Ujërat Termale të Bënjës.
Kumbar theksoi se, “fotot janë të sotmet dhe kush do të shohë me sytë e logjikës dhe jo me lentet e spekulimit, e ka shumë të lehtë të bëjë dallimin mes transformimit që ka pësuar Bënja sot, dhe kaosit të deridjeshëm”.
Ajo nënvizoi se nuk është thënë asnjëherë që kantieri ka përfunduar, sepse janë duke u bërë testimet e nevojshme me prurjet e ujit, nivelin e vaskave, dhe boshatisja e herëpashershme e vaskave është pjesë e këtij procesi.

Në fotografitë e bëra publike online dallohen vaskat e mbushura dhe vizitorët të cilët janë duke u relaksuar në ujin e tyre.
“Sa flasim, vaskat po mbushen sërish, në mënyrë të kontrolluar, sepse inxhinierët (ata të vërtetët, jo gjithologët) e dinë saktësisht se si kryhet kjo punë”, shkroi Kumbaro, e cila më tej njoftoi se këtë fundjavë skena natyrore dhe ajo infrastrukturore e re e Bënjës do të kthehet në një skenë të madhe kulturore, ku nuk do të mungojnë të gjitha zbavitjet, artistët dhe sidomos muzika unikale përmetare.
Në cilësinë e deputetes së zonës, Kumbaro shkruan se, prej ditësh dëgjon e lexon turlilloj komentesh mbi banjat e Bënjës në Përmet, me një dëshirë malinje, për të nxirë një destinacion të jashtëzakonshëm, ku njerëzit janë shpirtbardhë, punëtorë e krijues si rrallëkund.

Kumbaro i cilëson përmetarët si njerëzit që i kanë dhënë mësimet më të vyera në jetë e me të cilët janë bërë shumë punë për ta bërë Përmetin destinacionin e preferuar. Deputetja kujton se për Përmetin, deri para 7-8 vitesh, nuk i shkonte mendja njeriu ta shkelte.
“As tabelë tek Ura e Leklit nuk kishte në vitin 2015 që të tregonte se ku binte Përmeti”, shkruan Kumbaro.
Zona e ujërave termale të Bënjës është në kantier rikualifikimi, falë një investimi dhe projekti të bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me rrugë aksesi të reja, me mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës dhe produkteve të jashtëzakonshme përmetare.
Kumbaro rikujton se, të gjitha ndërhyrjet janë bërë me materiale në harmoni me natyrën dhe brenda estetikës së peizazhit që Perëndia i ka dhuruar asaj zone ku shekujt kanë lënë gjurmët e tyre njerëzore.


