Partia Demokratike në degën e Vlorës po përballet me një valë të re goditjesh politike vetëm pak ditë para konstituimit të Parlamentit të ri. Brenda pak javësh, disa prej figurave që për vite kanë qenë identifikuar si kontribuues të rëndësishëm të PD-së në këtë qark, janë larguar nga radhët e saj për t’iu bashkuar Partisë Socialiste, duke marrë njëkohësisht poste të rëndësishme publike.
Ky fenomen, që vjen në një moment politik të ndjeshëm, pas zgjedhjeve të 11 majit dhe në prag të riformatimit të jetës parlamentare, ka nxitur debate dhe interpretim të gjerë në qarqet politike.
Për demokratët, ky është një sinjal i qartë dobësie, ndërsa për socialistët, një demonstrim i forcës dhe i kapacitetit për të thithur mbështetje edhe nga kampi kundërshtar.
Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar nëntë lëvizje të bujshme nga strukturat e PD-së në drejtim të PS-së në Vlorë:
Emrat që kaluan nga PD te PS
Genc Deromemaj – Drejtor i Kadastrës
Zamira Sinaj – Deputete e PS
Klea Lalo – Nënkryetare e Bashkisë Vlorë
Kozma Mali – Drejtor i Financave në Bashki
Sokol Kuçi – Këshilltar i Kryetarit
Erdet Mandi – Këshilltar i Kryetarit
Saimir Haxhiu – Këshilltar i Kryetarit
Bled Taushani – Drejtor i Tatimeve
Julinda Çuni – Drejtoreshë e Spitalit
Shumica e tyre kanë marrë detyra kyçe në administratën vendore dhe institucionet publike të kontrolluara nga socialistët, çka forcon bindjen se lëvizjet nuk kanë qenë të rastësishme, por të planifikuara dhe të koordinuara.
Një traditë e njohur në politikën shqiptare
Ndërrimi i rreshtave politikë në prag të zhvillimeve të rëndësishme ka qenë një fenomen i përsëritur në politikën shqiptare gjatë tranzicionit.
Shpesh, humbësit në zgjedhje gjenden të braktisur nga njerëz të strukturave të tyre, të cilët zgjedhin t’i bashkohen palës fituese, jo vetëm për bindje politike, por edhe për përfitime personale apo mbijetesë në skenën publike.
Në rastin e Vlorës, rezultati i zgjedhjeve parlamentare e thellon më tej këtë tendencë: PS mori 53,235 vota ose 58.72%, ndërsa PD si koalicion siguroi vetëm 24,134 vota ose 26.62%. Ky raport flet vetë për dominimin socialist në qark dhe për pamundësinë e demokratëve për të rivalizuar seriozisht.
Sinjal për opozitën në krizë
Këto zhvillime janë edhe një tjetër goditje për Partinë Demokratike, e cila tashmë përballet me një krizë të thellë organizative, ndarje të brendshme dhe mungesë kohezioni.
Largimet e figurave lokale drejt PS-së e lënë opozitën edhe më të dobësuar, duke e bërë të vështirë jo vetëm konsolidimin e saj, por edhe mobilizimin e elektoratit në zonat tradicionale.
Nga ana tjetër, socialistët duket se po shfrytëzojnë momentin për të konsoliduar pushtetin e tyre lokal dhe për të krijuar një administratë që përfshin edhe ish-demokratë, duke e shitur këtë si një qasje gjithëpërfshirëse, ndërkohë që kritikët e shohin si kooptim politik dhe blerje të figurave për interesa të pushtetit.
Në prag të parlamentit të ri
Fakti që këto lëvizje ndodhin vetëm pak ditë para konstituimit të parlamentit të ri, i jep edhe më shumë peshë politike zhvillimit. Socialistët hyjnë në legjislaturën e re jo vetëm me shumicën e garantuar në Kuvend, por edhe me një imazh të forcës në terren, duke përthithur elementë nga kampi kundërshtar.
Në anën tjetër, opozita hyn më e copëzuar se kurrë, me radhët që i treten edhe në nivel lokal. Ky bilanc e bën betejën parlamentare dhe jashtëparlamentare edhe më të vështirë për PD-në, e cila rrezikon të mbetet pa strukturë funksionale në disa qarqe.
albaniaexpress.al