Një studim i ri nga Universiteti i Tilburgut dhe Universiteti Erasmus në Roterdam, mbi të dhënat e 75 mijë personave gjatë 30 viteve të fundit, ka treguar se jetëgjatësia maksimale e njeriut mbetet e kufizuar. Për femrat, kufiri është 115,7 vjet, ndërsa për meshkujt 114,1 vjet.
Profesori John Einmahl thekson se njerëzit jetojnë më gjatë mesatarisht, por “muri biologjik” nuk është lëvizur. Gjetjet përputhen me një studim amerikan që sugjeron se është e vështirë të kalohet mosha 115 vjeç.
Megjithatë, rekordi botëror mbetet Jeanne Louise Calment nga Franca, e cila jetoi 122 vjet (1875–1997). Studimi i plotë pritet të publikohet muajin e ardhshëm dhe mund të japë të dhëna mbi çelësin e një jete më të gjatë.

