KORÇË, 28 maj 2026/Albania Express News/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Korçë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se një koincidencë e madhe bashkoi në një datë, 26 majin, dy momente shumë domethënëse të historisë së PS-së.
Ai foli për 26 majin e vitit 1996, kur theksoi Rama, “socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht e vuri të gjithë Shqipërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë”.
Sipas tij, kjo sfidë u shfaq shumë herë më e madhe sesa dukej në fillim, kur u përmbys diktatura, dhe e vendosi PS-në në një situatë jashtëzakonisht dramatike.
Rama tha se ata që ishin në vijën e parë, qoftë si përfaqësues të PS-së në ato zgjedhje, qoftë si drejtues të partisë në territor apo komisionerë të saj, u dhunuan, ashtu siç u dhunua tërësisht edhe rezultati i atyre zgjedhjeve, që sipas tij u grabitën nga pushteti i degraduar i Partisë Demokratike.
“26 maji i asaj kohe sot është i paimagjinueshëm për të rinjtë që janë këtu, por edhe për shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik. Është e paimagjinueshme sot Shqipëria ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita, përveçse në raste kur pamjet shoqëroheshin me komente negative të spikerit të lajmeve”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozitare dhe ajo u bë shkrumb e hi nga ai që e cilësoi si një regjim brutal.
“Nuk mund të imagjinohet sot nga shumëkush se ishte e pamundur të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe apo denigroheshe dita-ditës”, deklaroi ai.
Duke folur për 26 majin e dy ditëve më parë, Rama tha se, PS e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës që, sipas tij, është amaneti i të parëve dhe borxhi ndaj fëmijëve të shqiptarëve.
“Maja ku gjendet shtëpia e Europës së bashkuar dhe ku, pa asnjë diskutim, ne do të vendosim me çdo kusht flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit”, tha Rama.
Sipas tij, Partia Socialiste është forca e vetme politike që në këto 35 vite ka dëshmuar se është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë me interesin kombëtar, me të shkuarën dhe me botën.
“Është krenaria jonë që, pas një periudhe të gjatë vështirësish dhe denigrimi, ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari, kudo ku ndodhet në botë, dhe i kemi dhënë Shqipërisë dhe emrit të saj një tingëllim krejt tjetër nga ai që kishte jo shumë vite më parë”, tha Rama.
“Mbi të gjitha është krenaria jonë që sot Shqipëria ndodhet në një fazë tjetër, pasi kemi mbyllur fazën e çeljes së të gjithë kapitujve për negociatat dhe tani kemi hyrë në fazën e mbylljes së tyre”, tha ai.
Duke iu referuar kundërshtarëve, Rama u shpreh se, “çfarë nuk thanë dhe çfarë nuk do të thonë. Por le të thonë ç’të duan. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”.


