Lutfi Zino, kampioni që mund t’i vjedhin medaljen, por jo lavdinë

Nga BUJAR QESJA

DURRËS,28 maj 2026/Albania Express News/Nga Bruklini, në konakun e mikut të tij, gazetarit durrsak Bujar Qesja, mbërriti për pak orë një nga emrat më të mëdhenj të çiklizmit shqiptar, Lutfi Zino. Erdhi për mallin e Durrësit, për miqtë, për kujtimet dhe për kohën e artë të pedalimit shqiptar. Dhe u kthye sërish në Amerikë, duke lënë pas emocione të forta dhe respekt të madh për figurën e tij.

Takimi me Lutin ishte prekës. I goditur pak kohë më parë nga një hemorragji cerebrale, por fatmirësisht tashmë në gjendje më të mirë shëndetësore, ai mbetet po ai kampion me grintën e dikurshme, me shpirtin luftarak dhe me kujtesën që endet vazhdimisht te biçikleta, te maloret dhe te fitoret e paharruara.

Lutfi Zino nuk është thjesht një ish-çiklist. Ai është histori e gjallë e sportit durrsak dhe shqiptar. Një njeri që ia kushtoi jetën dyrrotakëve, duke sakrifikuar gjithçka për sportin. Dy herë fitues i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, kampion në etapa të panumërta malore dhe me kronometër, pjesëmarrës në aktivitete ndërkombëtare dhe përfaqësues i Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Valkenburgut në Holandë.

Në vitin 1968 fitoi kupën si çiklisti më i ri i vendit. Në Spartakiadën e III Kombëtare shkëlqeu me hyrjen spektakolare në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa në vitin 1969 vendosi rekordin historik në kronometrin Shkodër–Lezhë, me mesataren 43 kilometra në orë, një shifër e pabesueshme për kohën.

Fitues i Rrethit Çiklistik në vitet 1971 dhe 1977, ai ishte protagonist absolut në sukseset e “Lokomotivës” së Durrësit. Më vonë ringriti edhe ekipin e “Teutës”, duke e kthyer në kampion në vitin 2003.

Për angazhimin e jashtëzakonshëm mori titullin “Mjeshtër Sporti”, më pas “Mjeshtër i Merituar” dhe më vonë u nderua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”. Pikërisht këtë titull dhe medaljen përkatëse ia vodhën në Amerikë, pasi i kishte lënë në makinë. Një humbje që dhemb ende. Por askush nuk mund t’i vjedhë lavdinë. Medaljen mund t’ia marrin hajdutët, por jo emrin e madh që ka lënë në historinë e çiklizmit shqiptar.

Kur flet për sportin, Luti emocionohet si fëmijë. Kujton trajnerin legjendar Bilal Agalliu, shokët e garave, rrugët e pafundme të stërvitjes dhe sakrificat e jashtëzakonshme. Kujton edhe aksidentin dramatik të vitit 1969, kur pas një përplasjeje të rëndë luftoi mes jetës dhe vdekjes. Pas shumë muajsh në koma dhe larg biçikletës, ai u rikthye sërish kampion. Një histori e jashtëzakonshme force dhe vullneti. Me respekt kujton edhe Met Mustën, trajnerin e tij të parë.

Në vitin 2005, kampion mes anglezëve

Ky nëntitull mund të thuhej edhe ndryshe: biçikleta e Zinos mundi notarët dhe vrapuesit.

Më 18 shtator 2005, Ambasada Angleze në Tiranë organizoi garën sportive “Inaugural Triathlon of Albania”. Konkurrentët duhej të realizonin 700 metra notim, 20 kilometra çiklizëm dhe 5 kilometra vrapim në zonën e Malit të Robit në Kavajë.

Mes dhjetëra pjesëmarrësve, ku kishte edhe sportistë të huaj me përvojë të madhe, ishte edhe durrsaku 55-vjeçar, Lutfi Zino. Dhe në fund, biçikleta e Zinos triumfoi mbi notarët dhe vrapuesit.

Zino e kujton kështu atë garë:

“Fillimisht nisi konkurrimi me 700 metra notim. Disa nga pjesëmarrësit ishin vërtet të përgatitur dhe m’u duk se konkurrimi me ta ishte përtej arsyes. Por, ashtu si violinisti që e nxjerr faqebardhë instrumenti, edhe në këtë rast violina ime ishte biçikleta. Garën e notimit e përfundova diku nga mesi i konkurrentëve.

Menjëherë mora biçikletën dhe i fola me gjuhën time. 20 kilometrat i realizova shumë shpejt dhe i lashë pas konkurrentët. Pastaj kalova te vrapimi. Oh, nëne, sa vraponin ata! Por epërsia që më kishte dhënë biçikleta nuk mund të kapej prej askujt. Oh, sa jam gëzuar që dola i pari! Nga emocionet shkova menjëherë te biçikleta, e putha si fëmijë dhe i thashë: ‘Të faleminderit!’”.

Në Bruklin frymon ende ky i artë i çiklizmit

Edhe sot, në Bruklin, ai nuk ndahet nga biçikleta. Amerikanët e njohin si specialist të rrallë të dyrrotakëve, ndërsa ai vazhdon të jetojë me të njëjtin pasion që kishte në rininë e tij në Durrës.

Por, mbi të gjitha, Lutfi Zino mbetet një njeri i ndjeshëm. Përlotet kur flet për Durrësin, për miqtë që nuk jetojnë më dhe për kohën e artë të sportit shqiptar. Vizita e tij e shkurtër në konakun e mikut të vjetër dhe mbështetësit historik ishte rikthimi emocional i një kampioni në qytetin që e bëri legjendë.

Dhe teksa largohej sërish drejt Bruklinit, dukej sikur merrte me vete mallin e qytetit, aromën e detit dhe kujtimet e një jete të tërë mbi biçikletë.

Sepse Lutfi Zino mbetet kampioni që mund t’i vjedhin medaljet, por kurrë lavdinë.

Mirëardhsh sërish, kampion! Nderi dhe krenaria e çiklizmit shqiptar, Lutfi Zino!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME