Nga Bujar Qesja
DURRËS,28 maj 2026/Albania Express News/Ka futbollistë që bëhen të mëdhenj në fushë, por janë shumë të rrallë ata që mbeten të mëdhenj edhe jashtë saj — në jetën e përditshme, në kujtesën e qytetit dhe në dashurinë e njerëzve. Niko Jani është pikërisht një prej tyre.
Në 70-vjetorin e lindjes, Durrësi nuk kujton thjesht një futbollist të talentuar të “Lokomotivës”, por një njeri të mrekullueshëm, një mik të pazëvendësueshëm dhe një qytetar fisnik, që vazhdon të gëzojë respektin dhe admirimin e të gjithëve.
Kanë kaluar vite nga koha kur Niko përshkonte me energji të pashtershme krahun e majtë të mbrojtjes, duke u kthyer në një nga lojtarët më të dashur të futbollit durrsak. Por sa herë përmendet emri i tij, duket sikur stadiumi zgjohet përsëri. Brezat që e panë të luante e kujtojnë ende me emocion atë mbrojtës modern, elegant dhe luftarak, që nuk njihte dorëzim.
Nuk ishte rastësi që e krahasonin me Antonio Cabrinin e madh të Italisë. Edhe Niko kishte frymën e futbollit europian: merrte krahun me guxim, depërtonte me forcë, krijonte epërsi dhe rikthehej me të njëjtën përgjegjësi në mbrojtje. Ishte i pakalueshëm në dyluftime, fizikisht i fortë dhe mbi të gjitha, luante me zemër.
Por ajo që e bëri kaq të dashur për qytetin nuk ishte vetëm loja e tij brilante.
Niko Jani mbeti gjithmonë njeri i njerëzve.
Në Durrës, emri i tij përmendet me dashuri të veçantë. Ka sportistë që duartrokiten për disa vite dhe më pas harrohen. Ndërsa Niko është nga ata njerëz që koha vetëm sa ua shton respektin.
Sa herë kthehet nga Italia, ku jeton pranë djalit të tij Gilberto, miqtë dhe sportdashësit nxitojnë ta takojnë. Të gjithë duan të pinë një kafe me të, të kujtojnë një ndeshje, një episod apo një emocion të largët. Sepse ai ruan ende atë ngrohtësi njerëzore që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Niko nuk di të sillet ndryshe veçse me thjeshtësi. Nuk di të mbajë distancë me njerëzit. Dhe ndoshta pikërisht kjo e ka bërë aq të dashur për qytetin e lindjes.
Një nga pamjet më të bukura mbetet ajo kur mblidhet me dy miqtë e tij të ngushtë, Agim Çelën dhe Mir Himën. Tre emra të njohur të futbollit durrsak, tre miq që vitet nuk arritën kurrë t’i ndanin. Takohen shpesh tek xhoeleri Çela, aty ku kujtimet e futbollit marrin jetë .
Flasin për ndeshjet, për tribunat plot, për fanellën blu dhe për shokët që nuk janë më. Kush i sheh nga larg, e kupton menjëherë se miqësi të tilla janë një pasuri e rrallë e jetës.
Niko Jani nuk është shkëputur asnjëherë nga futbolli. Edhe sot ndjek me pasion “Teutën” dhe futbollin durrsak, diskuton, analizon dhe gëzohet si dikur për sukseset e skuadrës së zemrës. Për të, futbolli nuk ka qenë vetëm
sport, por mënyrë jetese.
Ai pati fatin të ishte pjesë e brezit të artë të “Lokomotivës” dhe futbollit durrsak — një brez që shkroi historinë e sportit në qytet. Por edhe mes emrave të mëdhenj të asaj kohe, Niko Jani kishte individualitetin dhe shkëlqimin e tij të veçantë.
Në anketat e specialistëve më të mirë të futbollit shqiptar, organizuar nga gazeta “Teuta Sport”, ai është përfshirë me meritë në formacionin më të mirë të futbollit durrsak të të gjitha kohërave, si mbrojtësi i majtë ideal.
Dhe kjo nuk është rastësi. Është vlerësim për një karrierë dinjitoze, për një futbollist që dha gjithçka në fushë dhe që nuk e njollosi kurrë emrin e tij.
Por mbi të gjitha, Niko mbetet fitimtar në jetën njerëzore.
Ai është një familjar model, një bashkëshort i përkushtuar, një baba i dashur dhe një gjysh që rrezaton mirësi. Djali i tij Gilberto jeton me krenarinë për të atin dhe nuk resht së treguari respektin e dashurinë për të. Dhe kjo është ndoshta medalja më e bukur për një prind.
Ka njerëz që lënë pas trofe. Ka të tjerë që lënë kujtime.
Niko Jani ka lënë dashuri njerëzore.
Ndaj, në këtë 70-vjetor, urimi për të është po aq i madh sa respekti që Durrësi ruan për emrin e tij.
Të kesh shëndet, Niko!
Të të kemi mes nesh edhe për shumë vite të tjera, me buzëqeshjen tënde të qetë, me shpirtin fisnik dhe me atë thjeshtësi që të bëri kaq të dashur.
Qyteti yt nuk të harron. Tribunat mund të jenë boshatisur nga vitet, por kujtesa për ty mbetet plot. Sepse ti nuk ishe vetëm mbrojtësi i majtë i “Lokomotivës”.
Ti ishe dhe mbetesh një copë zemre e Durrësit sportiv.

