TIRANË,26 maj 2026/Albania Express News/Kombëtarja shqiptare e futbollit ka përjetuar një transformim tektonik në dekadën e fundit, një ndryshim që nuk matet më vetëm me pasionin në shkallët e stadiumit, por me shifrat e ftohta të tregut europian.
Çfarë e ndryshoi ekipin për mirë? Rritja e vlerës deri në vitin 2024 ishte produkt i një strategjie të mirëfilltë dhe ndryshimit të profilit të lojtarit shqiptar.
Tre ishin kolonat kryesore të këtij suksesi
Gjenerata e “Europës së Madhe”: Shpërthimi i talenteve të rinj të rritur dhe formuar në akademitë elitare të Europës. Lojtarë si Broja dhe Bajrami sollën me vete jo vetëm talentin, por edhe “etiketën e çmimit” të kampionateve ku luanin. Pjekuria e Liderëve: Rasti i Berat Djimsitit është emblematik. Vlera e tij preku tavanin e €22 milionëve falë paraqitjeve me autoritet në Serie A dhe në arenën e ashpër të Ligës së Kampionëve me Atalantën. Performanca në nivelet më të larta të futbollit evropian përkthehet direkt në vlerë kartoni.
Skautimi i diasporës: Ndryshimi i politikës së Federatës për të tërhequr me agresivitet çdo talent me origjinë shqiptare të lindur jashtë, zgjeroi pishinën e përzgjedhjes dhe automatikisht rriti vlerën mesatare të grupit.
Çfarë e ndryshoi ekipin për keq? Grafiku pasqyron një realitet të pamëshirshëm të tregut: vlera është e lidhur ngushtë me vazhdimësinë. Rënia në periudhën 2025-2026 nuk erdhi nga mungesa e talentit, por nga mungesa e minutave dhe formës fizike. Kur një futbollist nuk është protagonist në klubin e tij, bursa e futbollit e ndëshkon atë. Marash Kumbulla është shembulli më i qartë se si dinamikat e klubeve impaktojnë Kombëtaren. Rënia e tij drastike nga €27 milionë në €5 milionë, apo e Armando Brojës nga 30 ne 8 milion euro erdhi si pasojë e vështirësive dhe mungesës së hapësirave te Roma lëvizjet dëmtimet, ashtu si edhe në rastin e sulmuesit kuqezi që pati të njëjtin fat me ttransferimet, mungesë minutash dhe dëmtimet. Të njëjtin fat pas Euros e pësuan edhe lojtarë të tjerë, të cilët ndonëse bënë një turne të mirë, nuk gjetën stabilitet në nivel klubesh. Huazimi i Kristjan Asllanit te Torino dhe tani tek Beshiktashi ishte pikërisht një lëvizje e domosdoshme e kësaj natyre, një përpjekje thelbësore për të rifituar minutazhin, për të shpëtuar ritmin e lojës dhe për të mbrojtur vlerën e tij në tregun elitar, që gjithësesi ka pësuar një rënie të madhe nga 22 milion euro në 12 milion euro.

Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pritet në të ardhmen? Ky grafik tregon se futbolli shqiptar ka kaluar nga epoka e “mbijetesës dhe zemrës” në epokën e “industrisë elitare”. Ne nuk jemi më një ekip modest që mblidhet për të bërë mrekulli, por një portofol asetesh prej dhjetëra milionë eurosh që kërkon menaxhim.
Për të ardhmen, kjo do të thotë se Kombëtarja do të mbetet peng e fateve individuale të lojtarëve në klubet e tyre. Ndërkohë trajneri i Kombëtares nuk duhet të jetë më vetëm një menaxhues taktik, por një menaxher i gjendjes psikologjike të lojtarëve që përjetojnë kriza te klubet e tyre dhe padyshim një ndikues, ku mundet për t’I dhënë një dorë rikthimit të tyre në formën e mirë nëpërmjet aktivizimit. Nëse lojtarët tanë nuk kthehen në titullarë të padiskutueshëm në ligat ku militojnë, grafiku i vlerës do të vazhdojë të vuajë rënie artificiale. Suksesi afatgjatë i Shqipërisë tashmë nuk varet nga zbulimi i talenteve të reja, por nga stabiliteti dhe menaxhimi i karrierës së yjeve që kemi tashmë.Tch

