Kosova me xhandarmëri/ Reagojnë SHBA dhe NATO: Presim që plani i Qeverisë së Kosovës të jetë në përputhje me zotimet për ruajtjen e paqes

KOSOVË,23 maj 2026/Albania Express News/Shtetet e Bashkuara presin që plani i Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë të jetë “në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili shtoi se po “monitorojnë njoftimet e fundit sa i përket propozimit për krijimin e një force xhandarmërie në Kosovë”.

Më 19 maj, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

Sipas tij, kjo forcë do të ketë mision të qartë për ruajtjen e kufijve, integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ndërkaq, nga NATO-ja, e cila që nga viti 1999 ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, i thanë Radios Evropa e Lirë se po vëzhgojnë nga afër deklarimet e institucioneve në Kosovë për këtë çështje. “U përket atyre që të komentojnë për më shumë detaje”, tha një zyrtar i NATO-s.

Zyrtari i NATO-s tha se aleanca vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të japë kontribut për siguri të qëndrueshme për të gjithë.

“Ne presim që organizatat e sigurisë në Kosovë të vazhdojnë këtë qasje bashkëpunuese, duke u koordinuar me KFOR-in për të kontribuuar në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha zyrtari i NATO-s.

Ndërkaq, nga Ambasada gjermane në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se do të përmbahen nga komentimi për këtë çështje. Xhandarmëria është një forcë e sigurisë që ka karakter ushtarak dhe kryen detyra policore.

Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura. Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fieri hap në plazhin e Darëzezës sezonin e ri turistik veror

FIER,23 maj 2026/Albania Express News/ Mes një atmosfere festive...

PD Elbasan “blindon” votën , mbi 1100 anëtarë votojnë pro në referendumin për Berishën

ELBASAN,23 maj 2026/Albania Express News/Në degën e Partisë Demokratike...

Forcohen kapacitetet operacionale dhe hetimore të Policia e Shtetit në kuadër të projektit EU4FAST

TIRANË,23 maj 2026/Albania Express News/Kapacitetet operacionale dhe hetimore të...