“Vjedhja e shekullit”/ Grabitja spektakolare e bizhuterive të Napoleonit në muzeun e Luvrit, regjisorët bëjnë gati filmin

FRANCË,19 maj 2026/Albania Express News/Vjedhja e bujshme e bizhuterive që i përkisnin Napoleon Bonaparte nga muzeu Luvri pritet të sjellë së shpejti një film të ri hollivudian, bazuar në ngjarjen që u konsiderua si “vjedhja e shekullit”.

Sipas raportimeve të medias franceze Le Film Français, projekti kinematografik do të drejtohet nga regjisori francez Romain Gavras dhe do të mbështetet në librin investigativ “Main basse sur le Louvre”, i cili publikohet më 27 maj.
Libri është shkruar nga gazetarët Jean-Michel Décugis, Jérémie Pham-Lê dhe Nicolas-Charles Torrent dhe rikthen në vëmendje detajet e grabitjes spektakolare të ndodhur më 19 tetor 2025, duke përfshirë dokumente dhe materiale të papublikuara më parë.

Filmi pritet të dalë në kinema gjatë vitit 2028, ndërsa titulli dhe aktorët ende nuk janë bërë publikë. Për skenarin, Gavras do të bashkëpunojë me Simon dhe Mourad Winter, emra të njohur të kinemasë franceze bashkëkohore.
Ngjarja që tronditi Francën ndodhi në mes të ditës, kur katër persona arritën të hynin në Galerinë Apollo të muzeut dhe të vidhnin nëntë bizhuteri historike me vlerë rreth 88 milionë euro.
Sipas hetimeve, operacioni zgjati më pak se shtatë minuta dhe u realizua mes turmës së vizitorëve pa ngritur dyshime. Edhe pse pati disa arrestime, sendet e vjedhura nuk janë rikuperuar ende.
Pas skandalit, u zbuluan probleme serioze në sistemin e sigurisë së muzeut, çka çoi edhe në dorëheqjen e drejtoreshës së Luvrit, Laurence des Cars.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi një plan të madh modernizimi për muzeun, me vlerë rreth 800 milionë euro, ku një pjesë e konsiderueshme do të investohet në përforcimin e sistemeve të sigurisë në kuadër të projektit “Luvri – Rilindja e Re”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Islands”: Korça, surpriza e Mesdheut që po sfidon Spanjën dhe Italinë

KORÇË, 19 maj 2026/Albania Express News/- Korça po përmendet...