NGA FATMIR POPJA
ELBASAN,19 maj 2026/Albasan Express News/Rrethi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë po vijon me ritme të larta dhe rivalitet të fortë mes sportistëve pjesëmarrës, duke sjellë emocione të shumta për sportdashësit në çdo etapë të tij. Etapa e dytë e këtij aktiviteti prestigjioz, ajo Lezhë–Elbasan, u zhvillua me sukses të plotë dhe pa asnjë incident, në një itinerar prej 149.9 kilometrash që testoi forcën, qëndrueshmërinë dhe strategjinë e çiklistëve.
Përgjatë gjithë segmentit, gara u karakterizua nga ritëm i lartë dhe duele sportive mes ekipeve dhe çiklistëve më të mirë të këtij edicioni. Sportistët përshkuan një trase të gjatë dhe sfiduese, ndërsa emocionet kulmuan në kilometrat e fundit, aty ku sprinti final përcaktoi edhe fituesin e etapës.
Çiklisti sllovak Samuel Fedor arriti të triumfojë në etapën Lezhë–Elbasan, duke zhvilluar një garë mjaft inteligjente dhe duke menaxhuar në mënyrë perfekte momentet vendimtare të sprintit final. Pas tij u rendit zvicerani Julien Haldimann, i cili gjithashtu tregoi nivel shumë të lartë konkurrues gjatë gjithë etapës, ndërsa podiumi u kompletua nga belgu Lenz Dekabuter, një tjetër protagonist i kësaj gare spektakolare.
Ndërkohë, pas dy etapave të para të zhvilluara, renditjen e përgjithshme të Rrethit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë e kryeson belgu Kjell Koman, i cili ka ruajtur vazhdimësi dhe stabilitet në performancat e tij.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, vlerësoi nivelin e organizimit dhe ecurinë e garës, duke theksuar se deri tani gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve dhe standardeve të kërkuara për një aktivitet të tillë kombëtar e ndërkombëtar. Ai nënvizoi gjithashtu pjesëmarrjen cilësore të sportistëve të huaj dhe atmosferën pozitive që po shoqëron këtë edicion të rëndësishëm të çiklizmit shqiptar.
Tashmë vëmendja zhvendoset te etapa e tretë, ajo Elbasan–Vlorë, e konsideruar edhe një nga segmentet më të rëndësishme dhe më të vështira të këtij turi. Etapa do të ketë një gjatësi prej 172.4 kilometrash dhe starti do të jepet në orën 12:00 nga qendra e qytetit të Elbasan, ndërsa çiklistët do të synojnë të ruajnë ritmin dhe të fitojnë sekonda të vlefshme në renditjen e përgjithshme të kompeticionit.

