Nga Erion Sqapi
AF Elbasani pësoi një humbje të rëndë 4-0 ndaj Egnatias, në një ndeshje ku ajo që ra më shumë në sy nuk ishte vetëm rezultati, por mënyra si erdhi ai.
Një lajthitje dhe shpërqendrim total në momentin më të rëndësishëm të sezonit.
Ajo që zhgënjeu më shumë ishte fakti se disa lojtarë nuk dhanë ndjesinë se e kuptuan ku po luanin dhe çfarë përfaqësonte ajo ndeshje. “Final 4” nuk është një ndeshje e zakonshme kampionati. Është momenti ku kërkohet personalitet, përqendrim dhe shpirt gare.
Dhe mbi të gjitha, duhet të kuptosh edhe çfarë kërkon tifozi. Tifozi mund ta pranojë humbjen, por nuk pranon mungesën e reagimit, mungesën e shpirtit të garës dhe një skuadër që duket pa energji në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.
Pjesa e parë ishte ndoshta më e dobëta e Elbasanit në shumë javë. Skuadra nuk ishte fare në fushë, pa ritëm, pa agresivitet dhe pa qartësi në lojë. Egnatia e kuptoi menjëherë këtë dhe e goditi aty ku duhej.
Presingu i lartë i Egnatias krijoi panik dhe bllokoi çdo tentativë të Elbasanit për të ndërtuar lojën. Verdheblutë ranë pre e ritmit dhe intensitetit të kundërshtarit, duke humbur duelet, topat e dytë dhe kontrollin emocional të ndeshjes.
Dhe pikërisht këtu u pa ajo që ishte paralajmëruar më herët.
E kisha thënë se do të ishte shumë e rëndësishme të mos humbeshin ndeshjet ndaj Bylisit dhe Tiranës, jo thjesht për pikët, por për ritmin dhe gjendjen psikologjike të skuadrës. “Final 4” ishte siguruar, por futbolli nuk luhet vetëm me matematikë.
Kur u humb ndeshja ndaj Tiranës, aty duhej të ishte kuptuar se situata po bëhej serioze. Nuk ishte një humbje pa ndikim apo një ndeshje për statistikë. Ishte momenti ku skuadra nisi të humbiste ritmin dhe përqendrimin në fazën më delikate të sezonit.
Ajo humbje nuk pati vetëm kosto sportive, por edhe ekonomike. Me humbjen ndaj Tiranës, Elbasani praktikisht humbi mundësinë për të siguruar rreth 100 milionë lekë të vjetra që lidhen me përfitimet e vendit të parë, përfitim që në këtë rast shkoi në favor të Vllaznisë.
Dhe në futbollin shqiptar, ku presidentët dhe drejtuesit investojnë me shumë sakrificë dhe shpesh dalin me humbje, këto janë pasoja që peshojnë shumë.
Pastaj është edhe ekonomia e futbollit shqiptar, për të cilën flitet pak. Presidenca dhe drejtuesit e Elbasanit po japin maksimumin dhe realisht kanë bërë mrekulli me këtë klub të ri në një kohë shumë të shkurtër.
Nuk është aspak e lehtë të investosh në futboll në Shqipëri. Shumica investojnë nga pasioni dhe dëshira për të mbajtur gjallë qytetin dhe klubin, sepse ekonomikisht në fund pothuajse gjithmonë dilet me humbje.
Pikërisht për këtë arsye, kur presidenca dhe drejtuesit janë korrektë, investojnë dhe japin maksimumin për klubin, atëherë edhe lojtarët duhet t’i dalin për zot fanellës dhe projektit. Në fushë duhet të tregojnë se e meritojnë besimin, mbështetjen dhe atë që fitojnë.
Sepse futbolli nuk është vetëm kontratë apo pagesë. Është përgjegjësi, karakter dhe respekt ndaj klubit, tifozëve dhe atyre njerëzve që sakrifikojnë çdo ditë për ta mbajtur ekipin në këto nivele.
Tani sfida për Elbasanin nuk është vetëm tabela. Është reagimi.
Sepse humbje të tilla mund të të rrëzojnë psikologjikisht, por mund edhe të të zgjojnë. Dhe pikërisht këtu do të shihet forca reale e kësaj skuadre.
Në futboll nuk të përcakton vetëm mënyra si fiton, por edhe mënyra si ngrihesh pas një goditjeje të fortë.

