CËRRIK,15 maj 2026/Albania Express News/Një vizitë me rëndësi të veçantë për sportin dhe talentet e reja është zhvilluar në palestrën e peshëngritjes në Shtërmen të Cërrikut, ku Ministri Blendi Gonxhja,Ministri Andis Salla , kryetari i Bashkisë së Cërrikut Florenc Doka, deputeti Agron Gaxho dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjozaj u njohën nga afër me punën dhe përkushtimin që po bëhet çdo ditë për përgatitjen e brezave të rinj të sportistëve shqiptarë.
Në qendër të kësaj vizite ishte puna e trajnerit të mirënjohur Leonard Toska, i cili prej vitesh po ndërton një bazë të fortë për zhvillimin e peshëngritjes në zonën e Shtërmenit, duke kthyer palestrën në një vatër të rëndësishme të talenteve të reja.
Të pranishmit panë nga afër kushtet e stërvitjes, disiplinën dhe seriozitetin me të cilin të rinjtë e grupmoshave të ndryshme zhvillojnë përgatitjet e tyre të përditshme. Në këtë palestër sot stërviten fëmijë dhe të rinj që shihen si e ardhmja e sportit shqiptar, ndërsa puna intensive dhe përkushtimi i trajnerëve po japin rezultate konkrete.
Palestra e Shtërmenit konsiderohet tashmë një nga qendrat më premtuese të peshëngritjes në vend, pasi pikërisht aty kanë nisur rrugëtimin e tyre sportiv emra që sot përfaqësojnë me dinjitet sportin shqiptar, si Samuel Rrasa dhe Ertian Kofsha. Historia e suksesit të tyre shihet si frymëzim për të rinjtë që stërviten çdo ditë në këtë ambient sportiv.
Gjatë vizitës u vlerësua puna e jashtëzakonshme që bëhet në këtë palestër, jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për edukimin e të rinjve me disiplinë, sakrificë dhe frymë garuese. Përfaqësuesit institucionalë theksuan rëndësinë që ka mbështetja ndaj sportit bazë dhe investimi tek talentet e reja, si një mënyrë për të ndërtuar kampionët e së ardhmes dhe për të promovuar vlerat pozitive në shoqëri.
Ministri Gonxhja dhe drejtuesit vendorë shprehën vlerësime për modelin që po ndërtohet në Shtërmen, duke e konsideruar atë një shembull të qartë se si pasioni, puna dhe përkushtimi mund të nxjerrin kampionë dhe të kthejnë sportin në krenari për Cërrikun dhe gjithë Shqipërinë.
Vizita u shoqërua edhe me takime me sportistët e rinj, të cilët ndanë eksperiencat dhe objektivat e tyre sportive, ndërsa atmosfera në palestër tregoi qartë energjinë dhe ambicien e një brezi që synon të shkruajë histori të reja suksesi në peshëngritjen shqiptare.


