NGA FATMIR POPJA
ELBASAN,12 maj 2026/Albania Express News/“Abissnet Superiore” ka hyrë në momentin më të nxehtë të sezonit dhe mes katër skuadrave më të mira të kampionatit spikat me meritë edhe AF Elbasani, një ekip që në këtë edicion ka rikthyer krenarinë, entuziazmin dhe ëndrrën e madhe te tifozëria verdheblu. Ky sezoni për skuadrën elbasanase ka qenë një rrugëtim plot karakter, sakrificë dhe futboll cilësor, duke e shndërruar AF Elbasanin në një nga surprizat më të bukura të kampionatit të Supetligës Shqiptare.
Me 31 pikë të grumbulluara pas përgjysmimit të pikëve, po aq sa kryesuesja Vllaznia, verdheblutë futen në “Final 4” me objektiva të mëdha dhe me bindjen se mund të luftojnë deri në fund për titullin kampion. Vetë fakti që AF Elbasani e mbylli sezonin e rregullt mes elitës së katër më të mirëve tregon qartë rritjen e jashtëzakonshme të këtij projekti, që gjatë gjithë vitit ka dhuruar emocione, stabilitet dhe ndeshje spektakolare.
Skuadra ka treguar forcë karakteri në shumë sfida të vështira, duke rivalizuar denjësisht me ekipet më të forta të kampionatit shqiptar. Loja agresive, organizimi taktik dhe fryma e grupit kanë qenë armët kryesore të AF Elbasanit, që në shumë raste ka marrë duartrokitjet jo vetëm të tifozëve të vet, por edhe të gjithë opinionit sportiv shqiptar.
Megjithatë, fundi i sezonit të rregullt la një shije të hidhur te tifozëria verdheblu. Tri rezultatet negative radhazi, humbjet në transfertë ndaj Vorës dhe Bylisit, si dhe disfata në “Elbasan Arena” përballë Tiranës, krijuan zhgënjim në një moment kur skuadra dukej pranë konsolidimit të kreut. Sidomos humbja ndaj bardhebluve në shtëpi u përjetua rëndë nga tifozët, të cilët prisnin një reagim më të fortë në javët vendimtare të kampionatit.
Këto lëkundje të fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi gjendjen psikologjike të ekipit në prag të “Final 4”, por njëkohësisht kanë shërbyer edhe si kambanë alarmi për të rikthyer përqendrimin maksimal. Në Elbasan besojnë se kjo skuadër ka potencialin dhe cilësinë për të reaguar pikërisht atëherë kur vlen më shumë.
Tifozëria verdheblu vazhdon të mbetet arma më e madhe e ekipit. Mbështetësit elbasanas kanë qenë pranë skuadrës gjatë gjithë sezonit dhe tashmë presin që AF Elbasani të zhvillojë një “Final 4” dinjitoz, me shpirt gare dhe rezultate pozitive që mund ta çojnë klubin drejt një suksesi historik. Ëndrra për titullin kampion nuk duket më e paarritshme dhe atmosfera që po krijohet rreth ekipit tregon se qyteti është gati të jetojë netët më emocionuese të viteve të fundit.
Kalendari i “Final 4” premton përballje të zjarrta. AF Elbasani do ta nisë aventurën më 17 maj ndaj Egnatias, ndërsa më pas do të përballet me Dinamo City dhe në fund me Vllazninë, në një duel që mund të rezultojë vendimtar për fatin e titullit kampion.
Në një sezon ku AF Elbasani ka fituar respektin e të gjithëve, “Final 4” mbetet prova më e madhe. Verdheblutë kanë tashmë mundësinë ideale për të kthyer zhgënjimin e javëve të fundit në motivim dhe për të shkruar një faqe të artë në historinë e klubit.Meritë të veçantë në këtë sezon fantastik të AF Elbasanit ka padyshim presidenca , e cila ka ndërtuar me zgjuarsi dhe vizion një skuadër konkurruese, duke i dhënë stabilitet dhe besim projektit verdheblu. Me një organizim serioz dhe ambicie të qarta, drejtuesit kanë rikthyer te qyteti krenarinë dhe besimin se AF Elbasani mund të luftojë sërish për trofe madhorë në futbollin shqiptar.
Po aq të rëndësishëm kanë qenë edhe stafi teknik dhe futbollistët, të cilët gjatë gjithë sezonit kanë treguar profesionalizëm, karakter dhe shpirt gare. Ekipi ka ditur të reagojë në momentet më të vështira, duke luajtur me personalitet dhe duke krijuar një identitet të fortë në fushë. Futbollistët verdheblu kanë fituar respektin e tifozëve falë përkushtimit maksimal dhe dëshirës për të nderuar fanellën e AF Elbasanit në çdo ndeshje.
Ndërkohë, një kapitull më vete mbetet tifozëria elbasanase, e jashtëzakonshme gjatë gjithë këtij sezoni. Në shtëpi apo transfertë, verdheblutë kanë pasur gjithmonë pranë mbështetjen e zjarrtë të ultrasve dhe sportdashësve elbasanas, të cilët kanë krijuar atmosferë elektrizuese dhe kanë qenë shtysa më e madhe morale për skuadrën. Tashmë pritet që në “Final 4” stadiumi “Air Albania” të vishet verdheblu, me mijëra tifozë që do të udhëtojnë drejt Tiranës për të mbështetur ekipin në tri sfidat vendimtare të sezonit. Besimi, pasioni dhe dashuria e tyre për AF Elbasanin mbeten një armë plus në rrugën drejt ëndrrës për titullin kampion.

