AF Elbasani në “provën e zjarrit” në Ballsh /Ivan Gvozdenoviç: Asgjë s’ka përfunduar, titullin do ta fitojmë me meritë dhe karakter

ELBASAN,5 maj 2025/Albania Express News/AF Elbasani është duke u përgatitur maksimalisht për një nga sfidat më vendimtare të këtij sezoni, teksa do të zbresë pasditen e të mërkurës në fushën e stadiumit “Adush Muça” në Ballsh përballë Bylisit, në një duel që mund të peshojë shumë në fatet e titullit në Abissnet Superiore. Verdheblutë kryesojnë renditjen, por me një diferencë minimale prej vetëm dy pikësh ndaj ndjekësve, çka e bën çdo ndeshje të mbetur një finale të vërtetë.

Në prag të këtij takimi delikat, trajneri Ivan Gvozdenoviç ka dalë para mediave me një mesazh të qartë ,përqendrim maksimal dhe asnjë hap fals. Tekniku i AF Elbasanit e konsideron përballjen me Bylisin si një sfidë të fortë dhe të mbushur me vështirësi, por thekson se skuadra e tij është e përgatitur për ta përballuar me sukses.

Humbja ndaj Vorës në javën e kaluar duket se është lënë pas. Një ndeshje ku AF Elbasani u paraqit me mungesa të shumta dhe që nuk reflektoi potencialin real të ekipit. Sipas Gvozdenoviç, fokusi tashmë është totalisht tek dueli i radhës, pa kthyer kokën pas. Ai kërkon reagim të menjëhershëm dhe një paraqitje që të rikthejë besimin dhe ritmin e një skuadre pretendente për titull.

Por ajo që bie në sy në deklaratat e trajnerit është realizmi dhe maturia. Edhe pse AF Elbasani ndodhet në krye, Gvozdenoviç refuzon çdo eufori: “Ende nuk kemi fituar asgjë”, është mesazhi i tij i prerë. Ai nënvizon se rruga drejt titullit mbetet e gjatë dhe e vështirë, por jo e pamundur, nëse skuadra ruan motivimin dhe disiplinën deri në fund.

Motivimi, sipas tij, është në nivelet më të larta. Çdo lojtar është i vetëdijshëm për peshën e këtij momenti dhe për përgjegjësinë që mbart fanella e AF Elbasanit në këtë fazë vendimtare të kampionatit. Objektivi është i qartë: fitore në çdo ndeshje dhe asnjë tolerim apo kompromis me kundërshtarët.

I pyetur për aludimet dhe diskutimet që kanë qarkulluar pas rezultateve të javës së kaluar në Abissnet Superiore, trajneri ka zgjedhur një qëndrim të matur dhe profesional. Ai refuzon të përfshihet në polemika, duke theksuar se nuk ka asnjë fakt konkret dhe se fokusi i tij mbetet ekskluzivisht tek puna me ekipin e tij të AF Elbasanit.

Në analizën e tij më të gjerë për kampionatin, Gvozdenoviç vlerëson se ky edicion i Superiores është ndër më interesantët e viteve të fundit. Sipas tij, forca dhe rivaliteti janë rritur ndjeshëm, ndërsa rezultatet e paparashikueshme kanë shtuar emocionin dhe bukurinë e garës. Çdo skuadër, qoftë për titull apo mbijetesë, lufton fort për maksimumin, duke e bërë fundin e sezonit të hapur dhe plot surpriza.

Megjithatë, mes gjithë këtij rivaliteti, një gjë mbetet e pandryshueshme për AF Elbasanin ,ambicia për të mos toleruar askënd. Verdheblutë synojnë jo vetëm të ruajnë kreun, por ta bëjnë këtë me meritë të plotë, duke justifikuar investimin e presidencës, punën e stafit teknik dhe sakrificat e futbollistëve.

Një rol kyç në këtë rrugëtim luan edhe tifozëria, e cila ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme gjatë gjithë sezonit. Gvozdenoviç e sheh këtë si një motiv shtesë për skuadrën, për të luftuar deri në fund dhe për ta bërë Elbasanin edhe më krenarë për këtë ekip futbolli që po shkruan historinë me ecurinë e tij në Superiore.

Objektivi final nuk është vetëm titulli kampion, por edhe një paraqitje dinjitoze në arenën europiane ,një ëndërr që duket gjithnjë e më e prekshme, por që kërkon përqendrim absolut në çdo hap.

Sfida në Ballsh ndaj Bylisit është kapitulli i radhës në këtë histori që po shkruhet me tension, rivalitet dhe ambicie të mëdha. Për AF Elbasanin nuk ka më vend për gabime ,çdo pikë është jetike dhe çdo ndeshje një provë karakteri. Titulli është pranë, por siç e thotë edhe vetë Ivan Gvozdenoviç ,ai fitohet vetëm në fushë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Të shtëna me armë zjarri në një xhami në Kaliforni, dy viktima dhe disa të plagosur

USA,19 maj 2026/Albania Express News/Të paktën dy persona u...

Italianët kryesojnë vizitat turistike, rritje me 20,8% e akomodimeve

TIRANË, 18 maj 2026/Albania Express News/Turizmi në Shqipëri vijoi...

Ndërprerje e furnizimit me ujë në gjithë qytetin e Elbasanit, ja kur do të kryhen punimet…

ELBASAN,18 maj 2026/Albania Express News/Bashkia Elbasan dhe Shoqëria Rajonale...

“UÇK, UÇK, UÇK”! Protesta në RMV për gjuhën shqipe, thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Tre studentë të arrestuar

SHKUP,18 maj 2026/Albania Express News/Mijëra student shqiptarë janë mbledhur...