KOSOVË,3 maj 2026/Albania Express News/Në një atmosferë festive dhe plot emocione, Kampi Nacional i Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali u shndërrua në skenën e një përballjeje simbolike, por me peshë të veçantë historike. Ndeshja mes veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi kulmin e aktiviteteve për 10-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat më të rëndësishëm të futbollit botëror, UEFA dhe FIFA.
Përballja, ndonëse miqësore në natyrë, dhuroi rivalitet të fortë sportiv dhe momente emocionuese për tifozët e pranishëm. Të dyja skuadrat treguan nivel të lartë loje dhe shpirt gare, duke rikthyer në fushë emra që kanë kontribuar ndër vite në historinë e futbollit shqiptar dhe kosovar. Loja u karakterizua nga ekuilibri dhe raste të shumta në të dyja portat, por pa arritur të prodhojë një fitues në kohën e rregullt.Fati i kësaj sfide u vendos nga “ruleta” e penalltive, ku veteranët e Kosovës u treguan më të saktë dhe më të qetë përballë portës, duke siguruar kështu fitoren dhe trofeun simbolik të këtij aktiviteti përkujtimor.
Në ceremoninë përmbyllëse, trofeu iu dorëzua kapitenit të veteranëve të Kosovës, Hysni Gjinovci, nga presidenti i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Kjo ndeshje nuk ishte thjesht një aktivitet sportiv, por një homazh për një brez të tërë futbollistësh që sakrifikuan shumë për ta mbajtur gjallë futbollin në Kosovë në periudha të vështira historike. Në radhët e veteranëve vendas u panë edhe pjesëtarë të asaj që njihet si “gjenerata e sakrificës” – futbollistë që për afro një dekadë, gjatë kohës së okupimit, zhvilluan aktivitetin jashtë stadiumeve, në kushte të jashtëzakonshme, duke ruajtur identitetin sportiv dhe shpresën për ditë më të mira.
Ky përvjetor i rëndësishëm riktheu në vëmendje rrugëtimin e gjatë dhe sfidues të futbollit kosovar drejt ndërkombëtarizimit, duke kulmuar me anëtarësimin në UEFA dhe FIFA – një moment historik që hapi një kapitull të ri për sportin në vend.
Në fund, mes emocioneve, respektit dhe nostalgjisë, kjo përballje mes Kosovës dhe Shqipërisë shërbeu si një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes, duke dëshmuar se futbolli mbetet një nga elementët më të fortë të bashkimit dhe identitetit kombëtar.

