Fitorja ndaj Vllaznisë i ka dhënë Elbasanit kreun e renditjes, por suksesi i fundit ka ardhur me një kosto të lartë për verdheblutë. Në prag të përballjes së radhës ndaj Vorës, situata në kampin elbasanas është bërë mjaft e ndërlikuar për shkak të mungesave të shumta. Skuadra do të udhëtojë e përgjysmuar në këtë transfertë delikate të së shtunës, me plot shtatë lojtarë jashtë dispozicionit.
Janaçek dhe Lulaj vijojnë të jenë mungesa të hershme për shkak dëmtimesh, duke mos i dhënë ende zgjidhje repartit të mbrojtjes. Problemet shtohen edhe më shumë me mungesat për arsye disiplinore: Totoshi, Azemoviç dhe Olberkis janë të pezulluar për shkak kartonësh dhe do të detyrohen të qëndrojnë një javë jashtë. Kjo situatë e lë praktikisht skuadrën pa asnjë qendërmbrojtës të mirëfilltë në dispozicion për sfidën e radhës.
Ndërkohë, hallet nuk mbarojnë këtu. Lajthia dhe Manellari janë në dyshim për aktivizim. I pari pësoi një goditje në kokë gjatë ndeshjes me Vllazninë dhe gjendja e tij mbetet për t’u monitoruar, ndërsa Manellari vuan nga një tërheqje e lehtë muskulore, duke lënë gjithçka të hapur deri në momentet e fundit. Në këto kushte, trajneri Gvozdenovic përballet me një sfidë të vërtetë për të ndërtuar formacionin, në një ndeshje ku fitorja konsiderohet jetike për të ruajtur vendin e parë. Mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhjesh do të gjejë tekniku për të përballuar këtë emergjencë dhe për të mbajtur ritmin në krye të kampionatit.

