Prof.Dr.Zheni Gjergji :Konferenca Shkencore -“Enigma Klinika 003”, një hap i rëndësishëm drejt avancimit të praktikës mjekësore dhe bashkëpunimit profesional

ELBASAN,30 prill 2026/Albania Express News/Në një kohë kur zhvillimi i shkencës mjekësore dhe përditësimi i njohurive janë thelbësore për garantimin e një shërbimi shëndetësor cilësor, Spitali Rajonal i Elbasanit ka dëshmuar edhe një herë rolin e tij si një qendër aktive jo vetëm në trajtimin e pacientëve, por edhe në promovimin e dijes dhe inovacionit në mjekësi.

Në mesjavë, në Elbasan në bashkëpunim me kompaninë Ample, u zhvillua konferenca mjekësore “Elbasan Enigma Klinika 003”, një aktivitet shkencor që bëri bashkë mjekë dhe profesionistë të shëndetësisë nga fusha të ndryshme, me synimin për të shkëmbyer eksperienca, për të diskutuar praktikat më të mira klinike dhe për të nxitur zhvillimin profesional të vazhdueshëm.

Konferenca, e cila është në proces akreditimi nga ASCK për kategorinë mjek/e, përfaqëson një tjetër hap konkret në forcimin e standardeve profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve.

Ky aktivitet u konceptua si një platformë bashkëkohore ku praktika klinike ndërthuret me analizën shkencore, duke i dhënë hapësirë diskutimeve të thelluara mbi rastet konkrete dhe sfidat diagnostike e terapeutike. Pjesëmarrja e gjerë e profesionistëve të shëndetësisë e ktheu këtë konferencë në një pikëtakim të rëndësishëm të komunitetit mjekësor.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e Spitalit Rajonal Elbasan, Prof. Asoc. Zheni Gjergji, vlerësoi lart rëndësinë e këtij aktiviteti dhe kontributin e të gjithë pjesëmarrësve:

“Është një kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju përshëndes  sot në aktivitetin shkencor ‘Enigma Klinika 003’, një nismë me vlerë që mishëron angazhimin tonë të përbashkët për avancimin e dijes mjekësore, forcimin e bashkëpunimit profesional dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së kujdesit shëndetësor.”

Ajo theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mjekut të familjes si porta hyrëse e sistemit shëndetësor, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit funksional me mjekët specialistë dhe forcimin e sistemit të referimit si një mekanizëm kyç për rritjen e eficiencës dhe cilësisë së shërbimit.

Sipas saj, raste klinike të prezantuara në këtë konferencë nuk janë thjesht histori pacientësh, por burime të vlefshme njohurie dhe reflektimi për të gjithë komunitetin profesional:

“Në mjekësi, çdo rast mbart një mësim. Çdo diskutim hap një perspektivë të re. Çdo shkëmbim përvoje ndërton ura bashkëpunimi që përkthehen drejtpërdrejt në kujdes më cilësor për pacientët tanë.”

Prof. Zheni Gjergji vuri në dukje se në një kohë sfidash të reja për sistemet shëndetësore dhe zhvillimeve të shpejta teknologjike, aktivitete të tilla marrin një dimension edhe më të madh, duke shërbyer si instrumente reale për ndërtimin e një kulture profesionale të orientuar nga cilësia, inovacioni dhe ekselenca.

Gjergji shprehu mirënjohje të veçantë për organizatorët, partnerët dhe të gjithë pjesëmarrësit:

“Mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e aktivitetit ‘Enigma Klinike 003’. Ky aktivitet konfirmoi se kur profesionalizmi bashkohet me vizionin dhe bashkëpunimin, krijohen vlera reale dhe standarde më të larta në shërbim të komunitetit.”

“Enigma Klinika 003” u konsiderua si një model i suksesshëm i ndërthurjes së praktikës me shkencën, duke nxitur dialogun profesional dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet niveleve të ndryshme të sistemit shëndetësor.

Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, Spitali Rajonal Elbasan synon të konsolidohet gjithnjë e më shumë si një institucion lider jo vetëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, por edhe në zhvillimin e mendimit klinik dhe shkencor, duke vendosur pacientin në qendër të çdo iniciative.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME