Federata Shqiptare e Hendbollit, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të këtij sporti në vend, organizoi në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” në qytetin e Elbasanit Festivalin e Hendbollit për moshat U14 dhe U12, për vajza dhe djem. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 70 fëmijë nga qytetet e Elbasanit, Pogradecit dhe Cërrikut.
Gjatë ndeshjeve të zhvilluara u evidentuan lojtarë të talentuar, si vajza ashtu edhe djem, të cilët do të jenë pjesë e ekipeve kombëtare U14. Këto ekipe pritet të zhvillojnë ndeshje miqësore me përfaqësueset U14 të Kosovës dhe Malit të Zi, duke krijuar kështu mundësi të rëndësishme për përvojë ndërkombëtare dhe zhvillim sportiv.

Festivali i Hendbollit, si dhe ekipet pjesëmarrëse, u mbështetën nga EHF përmes projektit “Master Plan 360”. Në fazën e dytë të këtij projekti, gjatë viteve 2026–2027, do të bëhet e mundur që Federata Shqiptare e Hendbollit të mbështesë edhe 2 ose 3 ekipe nga qytete të tjera që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj iniciative.
Kjo nismë është pjesë e planit strategjik afatmesëm për zhvillimin e sportit të hendbollit në Shqipëri dhe synon zgjerimin e bazës së të rinjve të përfshirë në këtë disiplinë, si dhe rritjen e cilësisë së tyre sportive.


