“Eko Rural Elbasan” sh.a në qendër të vendimmarrjes së mbledhjes së sotme të këshillit bashkiak Elbasan:Bashkia hedh hapin për krijimin e shoqërisë së re zhvillimore

ELBASAN,28 prill 2026/Albania Express News/Këshilli Bashkiak i Elbasan zhvillon sot, më 28 prill 2026, në orën 14:00, mbledhjen e radhës në ambientet e Bashkisë.

Në rendin e ditës janë përfshirë 16 pika të rëndësishme, që prekin si aspektet administrative, ashtu edhe zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit.

Fillimisht pritet miratimi i rendit të ditës dhe i disa procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të muajve mars dhe prill. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve do të fokusohet tek miratimi i ndihmës ekonomike për qytetarët, si nga fondi i Bashkisë, ashtu edhe nga fondi i kushtëzuar për muajin mars 2026.

Në vijim, këshilli do të shqyrtojë pjesëmarrjen e Bashkisë Elbasan në programe bashkëpunimi ndërkombëtar, përfshirë programin e mësimit nëpërmjet binjakëzimit (Cohort 4), si dhe anëtarësimin në platformën ndërkombëtare për qëndrueshmëri “ICLEI”.

Një tjetër pikë me rëndësi është propozimi për themelimin e shoqërisë tregtare “Eko Rural Elbasan” sh.a, e cila do të jetë në pronësi të Bashkisë dhe synon zhvillimin e zonave rurale dhe menaxhimin e burimeve.

Në rend dite është edhe miratimi i planit për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në fondin pyjor, si dhe hapja e një shtegu të ri turistik Dopaj–Funar, projekt i financuar nga një grant ndërkombëtar për zhvillimin e turizmit natyror.

Ndër çështjet më të ndjeshme pritet të jetë shqyrtimi në parim i procedurës për shpronësime në funksion të projektit “Zgjerimi i rrugës Petrit Kallajxhiu”, si dhe diskutimi për futjen e biletës së fiskalizuar dhe elektronike në transportin publik qytetës dhe ndërqytetës.

Mbledhja do të trajtojë gjithashtu ndryshime në financimin afatmesëm për vitet 2027–2028, si dhe çështje të tjera administrative, përfshirë nxjerrjen jashtë përdorimi të aseteve.

Ky takim konsiderohet i rëndësishëm për vendimmarrjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Elbasani mirëpret Festivalin e Hendbollit për të rinjtë nga tre qytete

Federata Shqiptare e Hendbollit, në kuadër të zhvillimit të...

Fitorja e inteligjencës taktike

Nga Erion Sqapi Kjo nuk ishte thjesht një fitore 3-1....