Nga Aleksander Çipa
Në panoramën aktuale gjeopolitike ka shumë qasje dhe pozicionime antagoniste gjeopolitike. Por veçanërisht kriza në Ngushticën e Hormuzit, nga vëzhguesit dhe analistët ndërkombëtarë konsiderohet një ndër sfidat më të mëdha gjeopolitike. Thelbi I kësaj krize është I lidhur me krizën energjetike dhe pasojat e saj, e cila duhet vlerësuar se është më e rënda e dekadës së fundit.
Kjo krizë ka vendosur në qendër të vëmendjes rolin që aktorët e fuqishëm globalë po luajnë dhe do të kenë në ecurinë e mëtejshme të saj. Në këtë kuadër dhe brenda kompleksitetit të kësaj krize, (e cila ende mbart të njohura dhe të panjohura), Kina mbart dhe do të ketë rolin e vet potencial. Aktualisht fuqia e madhe aziatike, e vlerësuar nga rivalët dhe jo rivalët e vet si fuqi në rritje, është e lidhur në politikat e veta ekonomike me këtë kapilar të ekonomisë dhe specifikat e energjisë botërore. Ndërkohë që interesat e saj janë të gjera në raport me Lindjen e Mesme.
Në pikun e kësaj krize dhe sidomos konfliktit, Kina ka zgjedhur dhe mbajtur në fuqi qasjen e kujdesshme diplomatike, duke sugjeruar dhe apeluar balancimin e marrëdhënieve, jo vetëm mes vendeve të konfliktuar, por edhe të tjerëve në këtë rajon.
Gjithëpranimi ndërkombëtar se përmes kësaj ngushtice realizohet rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë, është fakt “kokëfortë” për një vlerësim dhe shqetësim shumëaktorësh shtetërorë dhe globalë.
Destabilizimi i kësaj rruge, bllokimet e përsëritura të kohëve të fundit për shkak të konfliktit dhe sidomos efekti i frikës dhe pasigurisë qarkulluese, ka shkaktuar pasoja dhe efekte të rënda në tregjet ndërkombëtare, sidomos atyre të energjisë.
Kina shqetësimin e vet nuk e ka ekzagjeruar, ndonëse është importuesi më i madh i naftës iraniane, përmes kësaj zone qarkullimi.
Më 31 mars, Ministri i Jashtëm Wang Yi zhvilloi bisedime me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm pakistanez Muhammad Ishaq Dar në Pekin dhe të dy palët miratuan së bashku “Iniciativën me pesë pika midis për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Rajonin e Gjirit dhe në Lindjen e Mesme”./Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Për këtë arsye në deklarimet zyrtare, diplomacia e Kinës dhe reagimet shtetërore nëpër takimet ndërkombëtare, kanë konsistuar në zgjidhjen e shpejtë, por pa shmangur pohimin se me këtë ngushticë e lidh një interes strategjik thelbësor.
Ndërkohë që në raport me konfliktin SHBA-Iran, diplomacia e Kinës karakterizohet qartazi nga qasja multilaterale dhe pragmatike.
Në deklaratat e herëpashershme Pekini këmbëngul tek ruajtja e lirisë së lundrimit dhe predikon qasjen për zgjidhjen paqësore të konfliktit.
Edhe pse kjo duket një retorikë, ajo dakordësohet prej shumë aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, pasi reflekton parimet tradicionale të politikës së jashtme dhe pranimin funksional të institucionalizmit dhe normave rregulluese ndërkombëtare.
Pavarësisht nga interesi strategjik në lidhjet me Iranin, Kina duket se gjatë kësaj periudhe u mëshon vlerësueshëm edhe marrëdhënieve me vendet e tjera të Gjirit Persik. Vihet re thellimi i bashkëpunimit me Arabinë Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit, duke shmangur qëllimshëm mospozicionimin prerazi në raport me konfliktin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning foli për “Iniciativën me pesë pika midis Kinës dhe Pakistanit për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në Rajonin e Gjirit dhe në Lindjen e Mesme”/Foto nga VCG
Tipologjia e qasjes së Kinës në përputhje me strategjinë e “balancimit të butë” i jep mundësinë që jo vetëm të ruajë aksesin në burimet energjetike, por edhe të shmanget nga përfshirja direkte në konflikt. Ditët e fundit diplomacia e Kinës ka pasur një kontribut qasjeje me vlerë ndërmjetësimi për uljen e tensioneve.
Armëpushimi i përkohshëm i arritur, mishëron ambicien e Pekinit si aktor imponues në menaxhimin e krizave të tilla me efekte dhe ndikime të rënda ndërkombëtare. Takimet intensive dhe kontaktet aktive me udhëheqësit rajonalë të Pekinit, kontribuojnë për një imazh të saj si një fuqi stabilizuese.
Sidoqoftë edhe për këtë diplomaci ka sfida ende të hapura, sikundër të tjera edhe më të mëdha.
Kritika për veprimet ushtarake të SHBA dhe aleatëve, kanë krijuar një moment të tensionuar. Ky pozicion, ndonëse i përshtatshëm për marrëdhëniet me Iranin, mund të krijojë tensione me partnerët perëndimorë dhe të komplikojë rolin e Kinës si ndërmjetës neutral.
Interesi strategjik i Kinës në raport me Ngushticën e Hormuzit, lidhet pashmangshmërisht dhe fuqimisht me iniciativat e saj ekonomike globale si “Një brez, një rrugë”. Ky rajon ka rol kyç në funksionimin e kësaj iniciative dhe funksionimin e korridoreve për sigurimin e zinxhirëve të furnizimit.
Tendenca kineze për shmangien e polarizimit, qartazi ka lidhje me strategjinë e përcaktuar gjeopolitike të saj: të ruajë aftësinë si gjeneruese e ekuilibrit.
Ky rol, (për të qenë i tillë edhe në të ardhmen), do të përcaktohet nga kontekstet dhe zhvillimet e reja prej aktorëve të tjerë, pra të të fuqishmëve të tjerë. Por qartazi, deri në këtë moment të konfliktit dhe pikut të kësaj krize në Gjirin Persik, Kina shfaqet si aktori madhor që predikon stabilitet dhe kontribuon për stabilizim. Ky tipar diplomacie ruhet si i tillë, sidomos në raport me një rajon që prej kohësh konsiderohet si ndër më të paqëndrueshmit në botë.

