Ylli Paçuku, një nga emrat më të komentuar të momentit, ishte i ftuari i radhës në podcastin e Grida Dumës, në një bisedë që lëvizi mes politikës, famës së papritur dhe jetës personale.
I konsideruar si “ylli” që tërhoqi vëmendjen e rrjeteve sociale për pamjen e tij, Paçuku tregoi se si e priti ftesën për të qenë pjesë e podcastit, ndërsa nuk munguan as pyetjet direkte të moderatores. “Kush të futi ty në politikë? Kush qëndron pas teje?”, ishte një nga momentet ku Grida Duma e vendosi përballë dyshimeve që qarkullojnë shpesh për figura të reja publike.
Biseda mori një kthesë më personale kur Duma e vuri në siklet me një pyetje për familjen: “Kaq të bukur sa ti jeni të gjithë?”, ndërsa vetë Paçuku reagoi me humor, duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Në intervistë, ai ndaloi edhe te fenomeni i viralitetit në TikTok, ku numëron miliona shikime. Paçuku rrëfeu se fillimisht u shtang nga vëmendja e menjëhershme, madje, siç tha vetë, kërkoi edhe shpjegime duke iu drejtuar ChatGPT-së. Popullariteti i solli edhe oferta të shumta, që sipas tij erdhën shumë shpejt.
Megjithatë, ai këmbëngul se nuk është bërë i njohur vetëm për pamjen. “Kam bërë edhe politikë”, u shpreh Paçuku, duke theksuar se angazhimi i tij nuk është thjesht produkt i rrjeteve sociale.
Në fund, biseda preku edhe jetën sentimentale. I pyetur për marrëdhëniet dhe mesazhet që merr në Instagram, Paçuku u shpreh se nuk ka rënë kurrë “kokë e këmbë në dashuri”, duke lënë të kuptohet se kjo pjesë e jetës së tij mbetet ende e rezervuar.

