Në kohën e sotme kur rrjetet sociale shpesh kthehen në arenë paragjykimesh, aludimesh dhe sulmesh të pabazuara, një reagim i ish-ministrit të Financave Arben Malaj ka sjellë një shembull të rrallë qytetarie, maturie dhe humanizmi, duke e zhvendosur vëmendjen nga zhurma e sipërfaqshme drejt thelbit të vlerave njerëzore.
Gjithçka nisi nga disa komente në rrjete sociale, ku një orë që ai mbante në dorë u bë objekt diskutimi dhe spekulimesh, duke u pretenduar se ishte një aksesor luksoz i markës së njohur Richard Mille, me një vlerë marramendëse. Një situatë tipike e epokës digjitale, ku perceptimi shpesh zë vendin e së vërtetës, ndërsa gjykimi paraprak bëhet normë.
Por përgjigjja e Malajt nuk ishte as mbrojtëse, as konfrontuese. Përkundrazi, ajo ishte një reflektim i qetë dhe një mesazh me peshë, i dhënë publikisht gjatë Edicionit të 3-të të Simpoziumit të Karrierës dhe Aftësive, organizuar këtë mesjavë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan .
Në vend që të merrej me polemika, ai zgjodhi të tregojë të vërtetën në mënyrën më të thjeshtë dhe domethënëse. Ora në fjalë nuk ishte një simbol luksi, por një objekt i zakonshëm, me një vlerë modeste prej vetëm 20 eurosh, i blerë në platformën Temu.
Ky gjest, megjithatë, mori një dimension shumë më të madh kur Arben Malaj vendosi ta dhurojë atë orë. Jo si një akt simbolik për të përgënjeshtruar komentet, por si një shprehje e ndjerë solidariteti dhe respekti njerëzor. Ora iu dhurua znj. Eligerta Sadja, një vajze të mrekullueshme me aftësi ndryshe e punësuar vitet e fundit në Universitetin e Elbasanit që, sipas tij, përfaqëson forcën, guximin dhe frymëzimin për të gjithë ata që përballen me sfida fizike në përditshmëri.
Ky moment, i thjeshtë në pamje të parë, u shndërrua në një mesazh të fuqishëm shoqëror se dinjiteti nuk matet me markat që mbajmë, por me mënyrën se si trajtojmë njëri-tjetrin. Se respekti nuk fitohet përmes luksit, por përmes empatisë dhe përkushtimit ndaj të tjerëve.
Në një shoqëri që shpesh ndikohet nga fasada dhe imazhi, reagimi i Malajt shërben si një thirrje për reflektim. Ai rikujton se integrimi i plotë i personave me aftësi ndryshe në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike nuk është thjesht një objektiv, por një detyrim moral i çdo individi dhe institucioni.
Më tej, fakti që ky postim u bë me mirëkuptimin e plotë të znj. Sadja dhe me synimin e qartë për të nxitur solidaritetin, e bën edhe më të sinqertë dhe domethënës këtë akt. Nuk kemi të bëjmë me një reagim për imazh publik, por me një përpjekje për të ndryshuar narrativën nga gjykimi tek mirëkuptimi, nga paragjykimi tek mbështetja.
Mesazhi që mbetet është i thjeshtë, por thelbësor. Vlera e kohës nuk qëndron tek çmimi i orës që mbajmë në dorë, por tek mënyra se si e përdorim atë kohë për të bërë mirë, për të ndihmuar dhe për të qenë pranë njëri-tjetrit.
Dhe pikërisht në këtë dimension, ky gjest i ish ministrit të nderuar socialist ,Arben Malaj tejkalon një reagim individual, duke u kthyer në një model që meriton të ndiqet.

