TIRANË, 24 prill 2026/Albania Express News/ Në radën e portit të Vlorës mbërriti sot kroçera e parë me turistë të huaj, duke çelur kështu sezonin turistik.
Kapiteneria e Portit të Vlorës bëri të ditur për ATSH-në se kroçera “Monet” është e para për këtë sezon turistik.
“Me flamur të Kingstown kroçera me 48 turistë nga vende të ndryshme si Kroacia, Portugalia, Gjermania dhe Anglia mbërriti në orën 07:45”, informoi Kapiteneria.
Sipas Kapitenerisë, turistët do të vizitojnë pika të ndryshme turistike në qytetin bregdetar.
Kroçera “MONET” ka ardhur nga Durrësi dhe do të qëndrojë në portin e Vlorës deri në orën 20:00, për t’u nisur më pas drejt destinacionit të radhës, Sarandës.
Në portin e Vlorës çdo vit vjen duke u shtuar numri i kroçerave që ndalojnë në qytetin bregdetar. Fluksi i vizitorëve me kroçera lidhet me plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë.

