TIRANË, 24 prill 2024 /Albania Express News / Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka kritikuar në Kuvend projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore”, duke e cilësuar atë si një nismë që, sipas tij, “vjen era klientelizëm”.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Boçi u shpreh se projektligji ka një “fabul të thjeshtë”, që sipas tij lidhet me mënyrën e hartimit të nismës dhe përfshirjen e aktorëve joqeveritarë në proces.
“Një ministre ndryshon portofolin ministror. Merr një ministri tjetër dhe papritur në ministrinë e re gjen një fondacion me të cilin ka bashkëpunuar vite të tëra dhe me ekspertët e këtij fondacioni fillon ekspertiza e Qendrës Shqiptare Arsimore, duke dalë në konkluzionin që QSHA duhet të shndërrohet në agjenci”, deklaroi Boçi.
Ai shtoi se, sipas tij, krijimi i agjencisë së re ngre shqetësime për mënyrën e vendimmarrjes në sistemin arsimor.
“Pra i bie që shteti shqiptar në arsimin e tij kombëtar ruan karriget dhe çelësin e vendimmarrjes e ka ky fondacion”, u shpreh deputeti demokrat.
Boçi theksoi gjithashtu se projektligji është shoqëruar me mungesë të konsultimit publik dhe përfshirje të pamjaftueshme të aktorëve të arsimit të lartë.
“Universitetet nuk kanë qenë në dijeni për ardhjen e këtij projektligji në komisionet e Kuvendit”, deklaroi ai

