“Dua të varrosem pa fjalimet e sundimtarëve që kam kritikuar”, zbulohet testamenti i Rexhep Qoses: Jo rituale fetare, Kosovës e Shqipërisë s’i kam mbetur borxh

KOSOVË ,23 prill 2026/Albania Express News/Testamenti i Rexhep Qosjes zbulohet pas ndarjes nga jeta: “Pa ceremoni, pa fjalime, pa media”

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të akademikut të shquar Rexhep Qosja në moshën 89-vjeçare, familjarët kanë bërë publik edhe testamentin e tij, të shkruar 10 vite më parë, ku ai kishte përcaktuar qartë mënyrën se si dëshironte të përcillej për në banesën e fundit.

Testamenti është publikuar nga nipi i tij, Valjet Qosja, i cili ishte edhe personi i besuar nga akademiku për t’u kujdesur për ceremoninë e varrimit. Në këtë dokument, Qosja shpreh qartë vullnetin e tij për një ceremoni krejtësisht të thjeshtë dhe private, larg çdo protokolli zyrtar apo fetar.

“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi”, shkruan ai në testament, duke kërkuar që ceremonia të zhvillohet pa ritual fetar dhe pa praninë e përfaqësuesve institucionalë. Ai thekson gjithashtu se dëshiron një përcjellje modeste: “pa fjalime, pa medie, pa lule”, dhe të prehet pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.

Në tekstin e tij prekës, akademiku nënvizon se gjatë jetës ka besuar në mendimin shkencor dhe përparimin shoqëror, arsye për të cilën kërkon një varrim pa rite fetare. Po ashtu, duke qenë një zë kritik ndaj pushteteve, ai kërkon që në ceremoninë e fundit të mos ketë asnjë prani zyrtare.

Në një reflektim të thellë mbi jetën dhe veprën e tij, Qosja shprehet se ia ka kushtuar jetën lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar, duke theksuar se nuk i ka mbetur borxh as Shqipërisë dhe as Kosovës.

“Vdes i qetë”, shkruan ai, ndërsa pranon me ndershmëri se, si çdo njeri, nuk ka qenë pa gabime, por mbetet i bindur se ka jetuar dhe vepruar duke bërë mirë dhe duke përhapur njerëzillëkun.

Publikimi i këtij testamenti hedh dritë mbi personalitetin e fortë dhe parimet e palëkundura të Rexhep Qosjes, i cili edhe në momentin e fundit të jetës zgjodhi thjeshtësinë, dinjitetin dhe largësinë nga çdo formë ceremoniali.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kuvendi miraton projektligjet në rendin e ditës vetëm me votat e mazhorancës, opozita braktis seancën

TIRANË, 23 prill 2026/Albania Express News/ Kuvendi miratoi në...

IKMT shemb 7 objekte në Elbasan për Korridorin 8, lirohet segmenti Elbasan–Papër

ELBASANI,23 prill 2026/Albania Express News/Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së...

Liverpool lë mënjanë Curtis Jones, rinovimi i pamundur dhe Interi e mendon si ide

Një pistë e lindur gjatë merkatos së janarit mund...