HIMARË ,23 prill 2026/Albania Express News/Himarapritet të shndërrohet në destinacionin më të nxehtë të jugut shqiptar në fillim të majit, teksa nga data 1 deri më 3 maj 2026 do të zhvillohet eventi i madh i çeljes së sezonit turistik, nën sloganin domethënës “Aty ku dielli prek detin”. Një program i pasur, që bashkon muzikën live, sportet, traditën dhe argëtimin për çdo grupmoshë, premton tri ditë të paharrueshme në bregdetin jonian.
Kulmi i këtij organizimi do të jetë mbrëmja finale e 3 majit, ku skena do të “shpërthejë” nga performanca e yllit grek Konstantinos Argiros, një nga artistët më të dashur të momentit në rajon, i cili pritet të tërheqë mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Atmosfera festive do të nisë që në ditën e parë me një sërë aktivitetesh që ndërthurin kulturën dhe sportin. Parada e Bandës Filarmonike do të hapë zyrtarisht sezonin, ndërsa gara si “Himara RunFest” dhe turneu i volejbollit në plazh do të sjellin energji dhe konkurrencë sportive. Paralelisht, panairet e artizanatit dhe kulinarisë, ekspozitat fotografike dhe sfidat e gatimit do të promovojnë traditat dhe shijet autentike të zonës.

Mbrëmjet do të jenë të rezervuara për muzikën dhe spektaklin. Artistë të njohur si Devis Xherahu, Maya Aliçkaj dhe grupe folklorike do të ngjiten në skenë në natën e parë, duke krijuar një ndërthurje të bukur mes modernes dhe tradicionales.
Dita e dytë do të vijojë me aktivitete për të gjitha moshat, duke përfshirë “Fun Kids Zone”, karnavalet verore, zhytjet “Scuba Diving” dhe aventurat me kajak. Spektakli i mbrëmjes do të arrijë kulmin me koncertet e Ronela Hajati dhe grupit legjendar Elita 5, të shoqëruara nga festivali i dritave dhe performanca akrobatike që do të ndriçojnë bregdetin e Himarës.

Ndërsa dita e tretë do të sjellë një kombinim të traditës dhe inovacionit, me aktivitete si Cirku Kombëtar, “Arkeologu i Vogël” për fëmijët dhe spektakli i dronëve që do të ndriçojë qiellin mbi det. Para koncertit final, publiku do të shijojë performancën e “16 Tela” në një kuartet ndërkombëtar, për të krijuar një atmosferë unike artistike.
Ky event treditor nuk është vetëm një festë, por një strategji e qartë për të pozicionuar Himarën si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në rajon. Me një kombinim perfekt mes natyrës, kulturës dhe argëtimit, qyteti bregdetar synon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh dhe të japë startin e një sezoni veror plot gjallëri dhe zhvillim ekonomik.

Në fillim të majit, të gjithë sytë do të jenë drejt Himarës ,aty ku muzika, deti dhe festa bashkohen në një eksperiencë të vetme.



