Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, së bashku me një delegacion prokurorësh dhe hetuesish të SPAK, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga Divizioni Penal i Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes një njoftimi në rrjetin social “X”, ku theksohet se takimi është zhvilluar me qëllim mirëpritjen e drejtimit të ri të SPAK dhe konsolidimin e partneritetit mes dy institucioneve ligjzbatuese.
Përveç kreut të SPAK, pjesë e delegacionit ishin edhe drejtuesi i seksionit kundër Krimit të Organizuar, Vladimir Mara dhe drejtuesja e seksionit kundër Korrupsionit, Dorina Bejko.
Në postim thuhet se Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, A. Tysen Duva, dhe programi OPDAT kanë pritur delegacionin shqiptar, duke nënvizuar angazhimin e përbashkët në përballjen me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin transnacional.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e SPAK kanë zhvilluar takime edhe me struktura të tjera amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë programin ICITAP të Departamentit të Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n.
Në njoftim theksohet gjithashtu mbështetja e Departamentit Amerikan të Shtetit përmes zyrës ndërkombëtare kundër trafikut narkotikëve, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional mes dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

