U zhvillua me sukses aktiviteti “Kupa e Shqipërisë” në Bodybuilding në qytetin e Elbasanit, duke konfirmuar edhe një herë rolin gjithnjë në rritje të këtij qyteti në organizimin e eventeve të rëndësishme sportive në nivel kombëtar.
Ky event sportiv u organizua në bashkëpunim ndërmjet Federatës Shqiptare të Bodybuilding, Klubit Shumësportësh Elbasan, Bashkisë Elbasan dhe Qendrës së Artit, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive dhe konkurruese për sportistët pjesëmarrës dhe publikun e pranishëm. Aktiviteti mblodhi atletë nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët garuan në disiplina të ndryshme, duke demonstruar përgatitje fizike, disiplinë dhe përkushtim të lartë.

Gjatë aktivitetit, Presidenti i Federatës shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kontribuuesit që bënë të mundur realizimin me sukses të këtij eventi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zhvillimin e sporteve të tilla. Në këtë kuadër, u ndanë certifikata vlerësimi për Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, Drejtorin e Përgjithshëm të Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, Drejtorin e Qendrës së Artit, Kliton Kapaj, si dhe për Fitness Kaçi.

Certifikatat u akorduan me motivacionin: “Për mbështetjen e zhvillimit të sportit të bodybuilding dhe fitnesit në qytetin e Elbasanit dhe bashkëpunimin në organizimin e garës kombëtare ‘Kupa e Shqipërisë’.”
Ky aktivitet shërben si një nxitje e rëndësishme për promovimin e sportit të bodybuilding dhe fitnesit, si dhe për përfshirjen e të rinjve në aktivitete sportive që ndikojnë drejtpërdrejt në një stil jetese të shëndetshëm. Gjithashtu, ai kontribuon në rritjen e imazhit të qytetit të Elbasanit si një qendër mikpritëse për aktivitete sportive dhe kulturore.

Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Bodybuilding do të vijojë edhe në të ardhmen, me synimin për të sjellë aktivitete sportive edhe më të mëdha dhe për të forcuar më tej traditën sportive në qytetin e Elbasanit.

