Të gjithë në stadium, po shkruhet historia e Elbasanit…

Elbasani është në prag të një prej javëve më të rëndësishme të historisë së tij të fundit, një moment ku sezoni merr formë, ku objektivat bëhen konkrete dhe ku çdo detaj mund të vendosë fatin e një viti të tërë pune. Katër ndeshje nga fundi i kampionatit, gjithçka është ende e hapur. Vendi i parë është vetëm 1 pikë larg, ndërsa në Kupë, skuadra ndodhet në gjysmëfinale, me gjithçka për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit. Ky është një skenar që pak kush do ta kishte imagjinuar në fillim të sezonit, por që sot është realitet.

Java që vjen nuk është thjesht e rëndësishme, është vendimtare. Fillimisht, Elbasani zbret në “Elbasan Arena”, të mërkurën në orën 19:00 për gjysmëfinalen e kthimit ndaj Egnatias, pas barazimit 1–1 në transfertë. Një ndeshje ku çdo sekondë do të peshojë, ku çdo duel mund të bëjë diferencën, dhe ku një qytet i tërë pret një rezultat që e çon skuadrën në finalen e Kupës. Dhe vetëm pak ditë më vonë, vjen sfida që mund të ndryshojë gjithçka: përballja direkte me Vllazninë, skuadrën kryesuese të kampionatit. Një ndeshje që nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse vlera e saj është e qartë. Fitorja nuk sjell vetëm tre pikë, por ngjit Elbasanin në krye të tabelës, në momentin më të nxehtë të sezonit.

Në pak ditë, në pak minuta loje, mund të vendoset një histori e re. Një histori që mund të kthehet në sezon reference, në një pikë kthese për klubin dhe për qytetin. “Elbasan Arena” do të jetë skena ku vendosen ëndrrat, ku pesha e fanellës dhe mbështetja e tifozëve bëhen një. Sepse këto janë momentet që nuk përsëriten shpesh, momentet kur një skuadër ka mundësinë të kalojë nga një sezon i mirë, në një sezon historik. Sot më shumë se kurrë, Elbasani nuk ka nevojë vetëm për lojtarët në fushë, por për gjithë qytetin në këmbë. Stadiumi duhet të mbushet, zëri duhet të bashkohet, dhe mbështetja duhet të jetë e pandalshme, sepse në këto ndeshje nuk luhet vetëm futboll, luhet krenaria, ambicia dhe historia.

Elbasani është në prag të diçkaje të madhe. Dhe kur historia troket në derë, nuk pritet…jetohet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME