TIRANË, 19 prill /Albania Express News/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, prezantoi në Lushnjë krijimin e Shoqërisë së Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) në sektorin e vajit të ullirit, një iniciativë e realizuar me mbështetjen e Ministrisë dhe Bashkisë, si dhe me angazhimin e 17 fermerëve të zonës.
Ky model synon të forcojë organizimin e prodhimit dhe të rrisë bashkëpunimin mes fermerëve, duke konsoliduar zinxhirin agroushqimor nga ferma deri në treg.
Gjatë prezantimit, Salla theksoi rëndësinë e këtij modeli si një qasje e re për zhvillimin e sektorit bujqësor.
“Ky është një model ku fermerët prodhojnë veç dhe shesin së bashku, duke krijuar kushte për uljen e kostove, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e aksesit në treg”, u shpreh ai.
Sipas tij, përmes këtij organizimi synohet rritja e të ardhurave për fermerët dhe krijimi i një aktiviteti më të qëndrueshëm ekonomik në zonat rurale.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë të mbështesë këtë model bashkëpunimi, duke punuar në koordinim me bashkitë për shtrirjen e SHBB-ve në 61 bashkitë e vendit, sipas produkteve prioritare të çdo zone.
Në këtë kuadër, synohet rritja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare “Made in Albania”, si në tregun vendas ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare.

